16 të rinj nga zona e Dibrës përfunduan me sukses kursin 8-mujor për kodimin, përmes të cilit arritën të zgjeronin njohuritë dhe kompetencat teknike në fushën e programimit.

Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për të rinjtë ishte zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku e cila u shpreh se njohuritë dhe dijet e tyre tashmë do të vihen në zbatim.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha dijet që morët t’i vini në zbatim, sepse nuk ka qenë një kurs i thjeshtë disa javor, ka qenë pothuajse një vit i tërë shkollor. Ju jeni impenjuar, keni investuar, qeveria ka investuar, donatorët kanë investuar, ka pasur impenjim edhe nga trajnerët, kështu që ju duhet patjetër që këto dije që morët të filloni t’i vendosni në jetë.”

Zëvendëskryeministrja Balluku shtoi më tej se për qeverinë, inovacioni ka një vëmendje të veçantë.

“Duke pasur parasysh këtë prioritet të Qeverisë Shqiptare për t’i dhënë inovacionit zë, për ta mbështetur me logjistikë dhe infrastrukturë, duke mbushur radhët me të rinj dhe të reja, unë do të thoja që pikërisht kjo nukël prej 16 dibranësh të ketë mundësi që të fillojë dhe të ushtrojë dijet që mori edhe pranë bashkisë, edhe pranë institucioneve shtetërore, edhe vetë ju si individë me ide të reja me start-up.”

Edhe Bashkia e Dibrës nënvizon se do të mbështesë të rinjtë që kanë ide inovative dhe duan të kontribuojnë në teknologjinë e informacionit.

Klan News