Kombëtarja zhvilloi një ndeshje të mirë në Poloni ku meritonte më shumë

Shqipëria e Sylvinho-s e nisi me humbje fushatën kualifikuese të Euro 2024, por duke zhvilluar një lojë të mirë. Kombëtarja u mund me rezultatin 1 – 0 nga Polonia në takimin e zhvilluar të hënën në Varshavë.

Trajneri brazilian i kuqezinjve në të parën e tij me një formacion më sulmues pati edhe debutues si Jasir Asani dhe Anis Mehmeti. Polonia e filloi në sulm, por rasti i parë i vërtetë ishte në të 14’, një goditje nga larg e Zalewski që u prit nga Strakosha.

Futbollistët e Shqipërisë me kalimin e minutave iu afruan zonës polake, ndërsa në të 22’ Çikalleshi goditi portën kundërshtare, por Szczesny arriti ta grushtojë topin.

Në të 41’ polakët kaluan në avantazh me Swiderski, i cili depërtoi në prapavijën kuqezi që deri në atë moment ishte shfaqur e sigurtë. Futbollistët shqiptarë nuk u dorëzuan me këtë rezultat dhe patën rastet e tyre në pjesën e dytë.

Në të 58’, Uzuni dhe Asllani iu afruan golit, por Szczesny u shfaq i vëmendshëm duke ndalur goditjet e lojtarëve kuqezi. Mihaj shpëtoi Shqipërinë nga goli i dytë, duke mos lejuar Lewandowski të shënonte me portën e boshatisur.

Gjatë pjesës së dytë Sylvinho bëri disa ndryshime, ndërsa Uzuni mund të barazonte në minutat e fundit. Emocionet e sfidës Poloni – Shqipëri u përcollën nga TV Klan.

Grupi kryesohet nga Çekia me 4 pikë pas barazimit 0 – 0 në fushën e Moldavisë, kundërshtari i radhës i Kombëtares më 17 Qershor në Tiranë.


POLONIA: Szczęsny, Frankowski, Bednarek, Salamon, Kiwior, Kamiński, Linetty (Szymański), Zieliński, Zalewski (Skóraś), Świderski (Szymański), Lewandowski (C) / Trajner: Fernando Santos

SHQIPËRIA: Strakosha, Hysaj (C), Mihaj, Kumbulla, Balliu, Gjasula (Laçi), Ramadani, Asllani (Bajrami), Asani (Mehmeti), Uzuni, Çikalleshi (Seferi) / Trajner: Sylvinho

ARBITËR: Slavko Vinčić / Anësorë: Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič

STADIUMI: PGE Narodowy, Varshavë


Ndeshja Shqipëri-Poloni minutë pas minute

Nisi me humbje kjo fushatë kualifikuesesh e Shqipërisë për Euro 2024. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin minimal 1 me 0 në Varshavë. Golin e shënoi Świderski në minutën e 41. Kombëtarja jonë pati shanset e veta, por pa rezultat.

94’ – Mbyllet sfida. Shqipëria humb 1 me 0 në Varshavë.

93’ – Goditje dënimi për Shqipërinë. E fiton Marash Kumbulla. Rast i artë për të mos e humbur këtë sfidë. Bajrami kroson topin. Szczęsny del i pasigurtë, por topi nuk shfrytëzohet nga Mehmeti.

90′ – 4 minuta shtesë.

89’ – Karton i verdhë për Laçin.

87’ – Largohet Gjasula, futet Laçi. Largohet Świderski për Szymański.

87’ – Çfarë humb Uzuni. Goditja e tij shkon ngjitur me shtyllën.

84’ – Kamiński tenton me të djathtën. Topi shkon jashtë.

83’ – Lewandowski provon goditjen jashtë zone. Topi mbi traun e portës. Moment i rrezikshëm.

79’ – Top i Uzunit për Seferin. Sulmuesi godet, por jashtë portës.

76’ – Zëvendësim edhe për Poloninë. Largohet Linetty. Futet Szymański.

74’ – Çikalleshi lë fushën e lojës për Taulant Seferin. Largohet edhe Asllani. Futet në lojë Bajrami.

74’ – Ndërhyrje e rëndë e Salamon ndaj Uzunit. Goditje dënimi për kuqezinjtë.

72’ – Për pak sa nuk na ndëshkon një krosim në shtyllën e dytë. Goditja me kokë e Kiwior përfundon jashtë.

71’ – Lewandowski rrotullohet dhe godet me shpinë nga porta. Topi devijohet. Goditje këndi për Poloninë.

69’ – Zëvendësimi i parë për Shqipërinë. Një debutues për një tjetër debutues. Largohet Asani. Futet në lojë Mehmeti.

67’ – Zëvendësim për Poloninë. Largohet Zalewski. Në fushën e lojës Skóraś.

65’ – Karton i verdhë për Linetty. Shkaktoi faull ndaj Asanit.

62’ – Lewandowski kryen çdo gjë vet. Godet topin mbi Strakoshën, por Kumbulla largon topin nga vija fatale. Pjesë e dytë shumë e luftuar nga të dyja skuadrat.

61’ – Asllani tenton goditjen jashtë zone nga rreth 25 metra. Asnjë rrezik për Szczęsny.

57’ – Shfaqet e rrezikshme Shqipëria. Uzuni godet nga e majta. Portieri polak bën detyrën dhe kalon në goditje këndi. Topin e luan Asani. Krosi në zonë largohet nga mbrojtësit polakë. Por Asllani përfiton nga një gabim i Zalewski dhe godet sërish në portë. Pret përsëri Szczęsny. Të pafat kuqezinjë!

54’ – Asllani kroson nga e majta. Topi largohet nga mbrojtësit polakë.

53’ – Uzuni fiton faull në krahun e majtë.

50’ – Polakët organizohen rrezikshëm. Godasin lehtë portën. Në gatishmëri Strakosha.

49’ – Polakët administrojnë rezultatin. Kombëtarja shqiptare përpiqet të organizohet, por deri më tani pa rezultat.  

45’ – Nis pjesa e dytë.

Mbyllet pjesa e parë Poloni-Shqipëri. Polakët shënuan në minutën 41’ falë golit të Świderski. Një ndeshje pothuajse e barabartë deri në momentin e golit, por më kërkues polakët. Shqipëria rrezikoi me anë të Çikalleshit, por gjuajtja e tij u prit nga Szczęsny. Asani dhe Uzuni janë munduar të krijojnë raste nga krahët, mirëpo deri më tani pa rezultate konkrete.

45’ – Mbyllet pjesa e parë!

44’ – Hysaj merr karton të verdhë për shkak të protestave.

41’ – Gol Polonia! Polakët krijuan rastin nga goditja e dënimit. Fillimisht pati një goditje që u përplas me shtyllën e Strakoshës, por Świderski përfiton topin dhe nga pranë fare pranë Strakoshës shënon golin e parë të sfidës.

39’ – Gjasula kryen faull ndaj Świderski.

36’ – Goditje dënimi për Shqipërinë. E gjuan Asani që gjen kokën e Kumbullës. Goditja e mbrojtësit të Romës ishte e lehtë. Largojnë rrezikun polakët.  

33’ – Vijon 0-0 rezultati i ndeshjes. Polonia ka mbajtur më shumë kontrollin e topit. Edhe kombëtarja shqiptare ka patur rastet e saj. Një gjuajtje e fortë e Çikalleshit u prit nga portieri polak.

32’ – Świderski provon me të majtën. Goditje e lehtë, Strakosha pret me qetësi.

28’ – Një moment i pasigurtë në mbrojtjen tonë. Mihaj bën shpëtimtarin. Largon rrezikun nga Lewandowski.

27’ – 3 goditje këndi radhazi për Poloninë. Ata po tregohen më të rrezikshëm me vertikalizime në zonën e Strakoshës. Lojtarët e kombëtares ushtrojnë presion.

26’ – Tjetër goditje këndi për Poloninë.

25’ – Polonia provon të rrezikojë nga e djathta. Hysaj largon topin në goditje këndi.  

21’ – Çikalleshi godet fort jashtë zone. Pret Szczęsny. Tjetër goditje nga këndi. Provohet një skemë, por polakët kanë “blinduar” mbrojtjen.

20’ – Asani kroson rrezikshëm në zonë. Topi për pak nuk gjeti kokën e Gjasulës. Salamon largon topin nga zona. Fitohet goditja e parë nga këndi, por nuk sjell asgjë për kombëtaren shqiptare.

19’ – Shqipëria provon të organizohet. Asani krijon disa mundësi në sulm. Fiton një faull pranë zonës polake.

14’ – Kontroll më i lartë i topit nga polakët. Fitojnë goditjen e parë të këndit.

13’ – Goditja e parë në portë. Zalewski teston Strakoshën. Portieri shqiptar i gatshëm dhe pret.  

10’ – Kros i rrezikshëm nga Zieliński. Topi përfundon jashtë vijës anësore.

7’ – Çikalleshi hyn nga e majta në zonën polake. Pason topin në qendër, por largojnë mbrojtësit polakë. Jasir Asani kryen një faull taktik.  

4’ – Aksion nga Uzuni në të majtë. Pason topin në qendër për Çikalleshin, por mbrojtësit polakë largojnë rrezikun nga zona e tyre.

0’ – Nis ndeshja. Topin e parë e luajnë polakët.

REDAKSIA TVKLAN.AL