Zjarri i madh që ka përfshirë prej të Dielës, rajonin e Atikës në Greqi ka shkaktuar viktimën e parë. Një 62-vjeçare u gjet e pajetë në ambientet e një fabrike të përfshirë nga flakët në periferinë verilindore të Athinës.

Flakët kanë mbërritur kështu në portat e kryeqytetit grek, duke djegur dhjetëra banesa. Megjithatë, vatra e nisur të Dielën pasdite është shpërndarë gjerësisht në drejtime të ndryshme pasi ka shkrumbuar një sipërfaqe prej 405 kilometrash katrorë dhe tashmë ka krijuar vatra më të vogla.

Shumica e vatrave mbeten jashtë kontrollit, ndonëse intensiteti i erërave ka rënë. Një pjesë e zjarreve, kryesisht ato që kanë mbërritur pranë periferive të Athinës, janë shuar ose janë vënë nën kontroll, duke lënë pas shkrumbim e shkatërrim.

Të paktën 30 mijë banorë janë evakuuar më herët nga zonat e përfshira nga flakët. Reja e tymit është aq e madhe sa përveçse ka mbuluar kryeqytetin grek, duket edhe në këto pamje satelitore.

Mbi 700 zjarrfikës, 200 automjete dhe 35 helikopterë dhe avionë janë angazhuar për shuarjen e tyre.

Në ndihmë u kanë ardhur edhe zjarrfikës nga vende të ndryshme të rajonit dhe Bashkimit Europian, përfshirë Serbinë, Turqinë, Italinë, Spanjën Çekinë e Rumaninë. Këtë verë, në Greqi janë numëruar mbi 2 mijë vatra zjarri në gjithë vendin.

Zjarret janë favorizuar nga temperatura mbi 40 gradë, ajri i thatë dhe erërat e forta, pasojë e ngrohjes globale.

Tv Klan