Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Prokuroria po shkel kontratën me OJQ në luftë kundër trafikut të qenieve njerëzore. Këtë fakt Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve konstaton pas pushimit të hetimit për një nga personat e akuzuar si trafikant, për rastin e të miturës të njohur si vajza e skandalit të Bisht Pallës.

Meqenëse dëshmitarja viktimë është e mitur, sociologë dhe avokatë të kësaj zyre kanë ndjekur ecurinë e dëshmisë dhe hetimit, duke marrë në mbrojtje vajzën, por në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar organi i akuzës ka refuzuar të informojë në lidhje me ecurinë e hetimit dhe ka ekspertuar dëshmitaren pa dijeninë e mbrojtësit ligjor të të  miturës, në këtë rast zyra ligjore në fjalë.

“Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me asistencën ndaj vajzave që janë viktima të trafikimit dhe mendoj që ne duhet të kishim marrë informacion në lidhje me këtë rast. Dua të theksoj që vajza është asistuar nga zyra jonë pas rreth tre vjetësh shfrytëzimi të vazhdueshëm. Shfrytëzimi nga tutorë, nga njerëz të rastësishëm në rrugë, qoftë edhe nga punonjës të policisë dhe mos kryerja e detyrës shpesh herë gjatë ndalimit të saj në periudha të ndryshme”.

Ndërkohë 12 persona të tjerë, ndër ta ushtarakë, policë dje të akuzuar si tutorë, do të çohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku do të gjykohen për akuzat trafik qeniesh njerëzore, shfrytëzim prostitucioni, shpërdorim detyre dhe marrëdhënie seksuale me të mitur./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj