Dy persona u arrestuan pasdite në një operacion antidroge në Kamzë, të koduar me emrin “Apollon”, i cili çoi në zbulimin e një baze ku përgatitej përzierja e lëndës narkotike.

Gerion Grabovajt, 22 vjeç dhe Arben Sulkës, 42 vjeç, iu gjetën 500 gram heroinë, dy kilogram kanabis sativa, një pistoletë “zastava”, 30 fishekë dhe një makinë tip “Punto” me targa të huaja.

Sipas policisë dy trafikantët mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh, ndërsa në momentin e arrestimit kanë bërë rezistencë.

Laura Totraku: “Operacioni u konkludua sot pas një pune disa javore duke përdorur metoda speciale të hetimit. Këto shtetas u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike në afërsi të vendit të quajtur, Kodër-Kamëz. Të gjitha materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë”.

Droga e sekuestruar sipas policisë ishte e destinuar për tregun vendas, kryesisht në kryeqytet. Vetëm dy ditë më parë po në Tiranë policia kreu një tjetër aksion të suksesshëm antidrogë teksa prangosi tre persona gjatë shkëmbimit të një kilogram heroine pranë stadiumit “Qemal Stafa”.

E njëjta sasi u kap në të njëjtën ditë në Vlorë, ku u arrestuan katër trafikantë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle