Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Sa të afërt e shohin socialistët kohën kur kryeministri Nano dhe ish-kryeministri Meta nuk do të ndajnë më të njëjtën parti? Të pyetur gjatë festës së 13 vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, ata përgjigjen.

Bashkim Fino: “Kam përshtypjen, sikur Meta po e kërkon vetë një gjë të tillë domethënë, aq më tepër me tonin emocional në të cilin ai u paraqit sot, si delegat i Konferencës së Tiranës”.

Petro Koçi: “Nëse grupimi Meta e ka paracaktuar që të lëviz jashtë Partisë Socialiste atëherë diskutimet tona brenda partisë do të ishin të panevojshmë më, natyrisht që për mua nuk e justifikon këtë iniciativë, Meta është një nga përgjegjësit kryesor të kësaj situate në Partinë Socialiste, ka bërë pazare dhe marrëveshjë të shpeshta me zotin Nano, në kurriz të interesave parimore dhe qeverisëse të Partisë Socialiste dhe dalja nga partia nuk e shpëton nga këto përgjegjësi”.

Gazetarja: A mendoni që tashmë do të merret statuti me përjashtimin tuaj?

Spartak Braho: “Presim, kanë dy muaj kohë të reflektojnë”.

Arta Dade: “Partia Socialiste asnjëherë nuk i ka pasur metoda të vetat, metodat përjashtuese. Unë personalisht do të dëshiroja që të gjenden të gjitha hapësirat dhe mekanizmat brenda strukturave të partisë, në mënyrë që shumë gjëra të sheshohen”.

Namik Dokle: “Jo nuk ka ardhur koha dhe PS nuk do të ndahet asnjëherë përfundimisht, mund të ikin njerëz nga PS, po kjo s’do të thotë që Partia Socialiste ndahet”.

Servet Pëllumbi: “Mendoj se është shpejtë për të folur për ndarje”.

Pandeli Majko: “Po prit o prit, prit të mbyllim vitin më ters, se është 13 apo jo, të hyjmë tek 14, prit ka kohë”./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini