Projektligji për fiksimin e akcizës së karburantit në nivelin 37 lekë për litër nga kufijtë 27 deri 37 lekë që është aktualisht është diskutuar në komisionin e ekonomisë dhe financave.

Deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin se efektet financiare të këtij ndryshimi mund të bien mbi konsumatorin, por zv/Ministri i Financave, zoti Florion Mima deklaroi se ndikimi mbi qytetarët nga kjo masë do të jetë zero.

Ministria e Financave ka përllogaritur se ky ndryshim i akcizës do të sjellë rreth 1.5 miliard lekë më shumë në arkën e shtetit, shumë e cila do të vilet nga importuesit apo kompania vendase, ARMO.

Florion Mima: “Për të ruajtur të njëjtin çmim në treg, qoftë ARMO e privatizuar, qoftë importuesit do të duhet që të ulin marzhet e tyre të fitimit. Tregu e imponon këtë. Duke qenë se çmimi është pothuajse i fiksuar dhe i barabartë mes importit dhe vendit i gjithë ky 10 lekësh do të dali duke prekur indirekt fitimin e ARMO-s së privatizuar, pra konsumatori nuk do të ndjejë asgjë dhe çmimi do të vazhdojë të jetë po ai që është sot në treg.”

Sipas numrit dy të financave akciza do të jetë e unifikuar në nivelin 37 lekë për litër si për naftën e importit ashtu edhe për prodhimin vendas duke i dhënë fund politikës proteksioniste, pasi kjo ka qenë edhe një kërkesë e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Me kundërshtimet e opozitës projektligji është shtyrë për votim në mbledhjen e radhës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro