Vetëm një hap e ndan botën nga pandemia, gjendja e emergjencës. Ekspertët shprehen se nisur nga situata, OBSH mund të rrisë në 6 nivelin e alarmit nga epidemia e gripit të derrave, çka përbën edhe treguesin maksimal në këtë shkallë.

Sipas drejtoreshës së përgjithshme të Organizatës, Margaret Chan, një nivel 5 ose 6 alarmi do të thotë se qeveritë duhet të implementojnë plane dhe të ndërmarrin masa konkrete për të përballuar situatën.

Margaret Chan: “Kjo rritje e shkallës së alarmit është një sinjal i qartë për qeveritë, për industritë farmaceutike dhe komunitetin e biznesit që të ndërmarrin hapa konkrete për parandalimin e sëmundjes. Deri tani kemi arritur të sigurojmë 5 milionë doza nga kompanitë që merren me prodhimin e ilaçeve. 3.5 milionë janë shpërndarë në vendet ku situata është më emergjente.

Zyrtarisht, OBSH ka konfirmuar 148 raste të gripit të derrave në 9 shtete, rasti më i fundit në Peru.

Presidenti amerikan, Barack Obama, kundërshtoi çdo mundësi të mbylljes së kufijve me Meksikën, një vendim ky, që u propozua pas vdekjes së djeshme të një djali 22-muajsh, i cili ishte infektuar me virusin vdekjeprurës.

Dyshohet se një tjetër rast është shënuar në Kroaci. Sipas Ministrisë së shëndetësisë, bëhet fjalë për një vajzë 22-vjeçare, e cila ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara, megjithatë ende nuk është vërtetuar nëse është e infektuar me virusin H1N1.

Meksika nga ana e saj ka pranuar se 8 nga 159 viktimat kanë qenë të infektuara me gripin e derrave.

Deri tani është vërtetuar se virusi ka prekur 99 persona. Mbi 2 700 të tjerë janë të sëmurë. Nga ana e tij, KE paralajmëroi se përpara se të prodhohet vaksina, në Evropë do të ketë dhjetëra mijëra të vdekur./tvklan.al