Panairi i librit shqip është një ndër evenimentet kulturore më të rëndësishme të verës që mbahet në Ulqin. Në edicionin e tij të 8-të, panairi i mbajtur në shëtitoren e qytetit turistik solli rreth 6 mijë tituj librash nga 60 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. I çelur enkas me një ceremoni, panairi vjen si një bashkëpunim i shoqatës së botuesve shqiptarë, komunës Ulqin dhe Ministrisë malazeze të të drejtave të njeriut dhe pakicave.

Fatmir Toçi: “Është një strategji e shoqatës botuese shqiptar që në këto ditë të nxehta dhe pushimesh kur qytetet tona dhe qendrat e banuara zbrazen dhe njerëzit shkojnë drejt vendeve bregdetare kryesisht për pushime. Ne me prodhimet tona, me botimet tona, me dijen, me ushqimin shpirtërorë të jemi gjithmonë pranë jush”.

Librat për të cilët qytetarët dhe pushuesit në Ulqin treguan interes të madh janë të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Përveç letërsisë artistike dhe asaj për fëmijë, në stendat e panairit vend i është rezervuar edhe fjalorëve apo botimeve enciklopedik

Azem Zogaj: “Si çdo panair sensibilizon librin mas pari i cili objektivisht herë, herë gjindet në krizë”.

“Është hera e dytë që vij këtu në Ulqin për panairin edhe më vjen mirë se bëhet kjo gjë sepse kam vënë re në Ulqin është pakësuar niveli i edukimit në gjuhën shqipe”.

Gazetarja: Çfarë jeni duke parë konkretisht?

“Historinë e Skënderbeut”.

“Shumë pozitive. Është mirë bashkë me shoqet e mia që kemi ardh në pushim. Njëra pak më parë e ceku “Paratë nuk duhet të na dhimben për libra”.

Të ftuar në hapjen zyrtare të këtij evenimenti ishin edhe përfaqësues të qeverive shqiptare e malazeze, të pushtetit vendor por edhe shkrimtarë të ndryshëm. E pikërisht nata e dytë e panairit ju kushtua jetës dhe veprimtarisë letrare të akademikut Rexhep Qosja, i cili përveç të tjerash foli edhe mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet fqinje si Mali i Zi apo Maqedonia.

Rexhep Qosja: “Unë personalisht mund ta kuptoj Malin e zi pse nuk shpejton, edhe maqedontë mund t’i kuptoj tashti. Ata do kqyrin të mbajnë raportet të mira edhe me dikë tjetër jo vetëm me shqiptarët, është politikisht e kuptueshme, do ta njohin edhe maqedont edhe Mali i Zi”.

 Panairi i librit një traditë tashmë për Ulqinin zgjat 5 ditë./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini