Lajme Arkiva 2003

Vendimi i qeverisë për të çuar në gjirin Persik trupa komando shqiptare është miratuar edhe në komisionet parlamentare të mbrojtjes dhe të jashtëm, ndërsa pritet që të vendoset përfundimisht të enjten nga Kuvendi i Shqipërisë. Në praninë e ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë dhënë votat e tyre pro për t’ju bashkuar koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, siç thuhet edhe në aktin e qeverisë. Vetë ministri shqiptarë i mbrojtjes e ka argumentuar këtë vendim si një mbështetje të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pandeli Majko: Kjo nuk është për retorikë, kjo nuk është për antievropianizëm. Është e kundërta. Ne kemi ushtarakët tanë në Bosnjë me trupat gjermane. Ne kemi trupat tona në Afganistan, që janë nën komandën e trupave gjermane dhe do të bashkëpunojmë shumë shpejtë me trupat italiane. Ne kemi një bashkëpunim shumë të gjerë edhe në marrëdhëniet me partnerët tanë evropian. Por ne dallojmë në specifikën që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë po ju them një fakt shumë të thjeshtë. Në testimin që u bë gjatë luftës së Kosovës po ju them se rreth 70% e amerikanëve nuk dinin se ku binte Shqipëria dhe se kush ishin shqiptarët. Pra imagjinoni çfarë vendimmarrje politike ka qenë e qeverisë amerikane e presidentit amerikan për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne thjeshtë po tregojmë se dimë të vlerësojmë këtë ndihmë që na kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas këtij vendimi trupat komando nga Shqipëria mbi 70 persona do të dërgohen me mision paqeruajtës në Gjirin Persik. Kjo do të thotë siç shpjegohet edhe në vendim që trupat komando do të dërgohen në gji që në momentin e goditjes ushtarake ndaj Irakut por pas saj./tvklan.al