Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Turqia si një nga vendet anëtare të NATO-s dhe partner strategjik me vendin tonë, do të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak tashmë edhe në fushën e industrisë ushtarake. Këto kanë qenë disa nga deklaratat e të dy ministrave të mbrojtjes së Shqipërisë dhe të Turqisë, pas takimit bilateral të zhvilluar në Tiranë.

Po ashtu ministri turk në prag edhe të samitit të Stambollit ka deklaruar, se Turqia ndjek politikën që Shqipëria të anëtarësohet në NATO. Në lidhje me bashkëpunimin në fushën ushtarake ministri ynë i mbrojtjes Pandeli Majko u shpreh:

Pandeli Majko: “Në mënyrë specifike ne kemi diskutuar për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë, nuk është ndonjë sekret, ne duam të jemi blerës të rregullt të teknologjisë turke”.

Ndërsa për mesazhin që pret Shqipëria nga samiti i Stambollit, Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko deklaroi:

Pandeli Majko: “Me fermanin që presim nga Stambolli, e kemi shumë të qartë”.

Ky takim u zhvillua në kuadër të konsultimeve që ministri Majko ka ndërmarrë me ministrat e mbrojtjes të disa vendeve anëtare të NATO-s./tvklan.al