Futbollisti brazilian, Lucas Paqueta, rrezikon përjashtimin përgjithmonë nga futbolli. Ndaj lojtarit të West Ham, ka nisur një hetim prej kohësh, pasi akuzohet se ka luajtur baste sportive në vendlindje, në lidhje me ndeshjet e tij.

Paqueta akuzohet se nga nëntori 2022 deri në gusht 2023, ka luajtur baste për kartonë të verdhë, në ndeshjet ndaj Leicester, Aston Villa, Leeds dhe Bournemouth.

Federata Angleze e Futbollit, ka nisur hetim për një trukim të mundshëm nga lojtari dhe pretendohet se ai është ndëshkuar qëllimisht, për të përfituar në bastet sportive.

Fantazistit iu sekuestrua telefoni për dy muaj, për të kontrolluar mesazhet dhe transaksionet bankare, që mund ta lidhnin me lojërat e fatit në Brazil.

Pas kësaj problemet janë shtuar edhe më shumë. Sipas “The Sun”, lojtarit iu kthye telefoni, të cilin menjëherë e ka zhdukur, për arsyen që nuk dihet ende.  

Kjo u zbulua kur Federata kërkoi kthimin e telefonit për analiza shtesë, por Paqueta nuk e kishte më.

Tani, përveç akuzave të mëparshme për bastet sportive dhe mungesës së bashkëpunimit, brazilianit i shtohet edhe akuza për pengim të hetimeve.

Në muajin mars të vitit 2025, do të ketë edhe një seancë dëgjimore për lojtarin dhe në verë do të vijë një vendim përfundimtar.

Nga Anglia raportojnë se sezoni aktual mund të jetë i fundit për Paqueta, pasi rrezikon dënim të rëndë si ai i përjashtimit të përjetshëm nga futbolli. /tvklan.al