Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Problemet e fundit me shërbimin celular shqiptar, janë diskutuar në seancën e parë plenare të legjislaturës së fundit të kuvendit. Në kundërpërgjigje të deputetëve demokratë ministri Muçi, deklaroi se firma Telenor Cosmote, do të shtojë shërbimet e reja teknologjike dhe 150 mijë numra të rinj telefonik. Përsa i përket tarifave ndaj klientëve, Muçi tha, se është Enti Rregullator i Telekomunikacionit, institucioni që duhet të negociojë me AMC-në.

Mustafa Muçi:- “Unë nuk marrë në mbrojtje asnjë nga kompanitë fituese të tenderit të AMC-së, por dua të them që ky privatizim është një nga privatizimet më të suksesshme të realizuara dhe që efektet e tij do t’i tregojë menjëherë në ndryshimin e menjëhershëm të teknologjisë”.

Ministri Muçi ka deklaruar, se në fillim të muajit Shkurt, do të nënshkruhet marrëveshja me palën kineze prej 149 milion dollarësh, për hidrocentralin e Bushatit. Në kalendarin e punimeve të kuvendit u vendos si afat i fundit për miratimin e ndarjes së zonave elektorale, data 15 Shkurt./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame