Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Parlamenti ka miratuar sot buxhetin e vitit 2001, me 105 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim. Sipas kryeministrit Meta në buxhetin e 2001 është parashikuar ulja e tatimit mbi fitimin, taksave doganore, ulja e huamarrjes, etj. Sipas kryeministrit ndryshimet më të mëdha do të bëhen në infrastrukturën rrugore dhe aeroportuale.

Kryeministri Ilir Meta:- “Tiparet themelore të këtij projektbuxheti janë, së pari se ai krijon hapësira të reja për zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet mbështetjes prioritare të infrastrukturës. Gjatë vitit 2001 qeveria do të vazhdojë me prioritet të jashtëzakonshëm ndryshimin e infrastrukturës rrugore dhe aeroportuale. Kjo do të bëjë që viti 2001 të jetë edhe viti i inaugurimit të përfundimit të punimeve në shumë akse jetike rrugore në nivele europiane”.

Ndërsa kreu socialist Fatos Nano tha, se buxheti i vitit 2001, i paraqitur nga qeveria nuk është buxhet konjuktural i një viti elektoral, por është programi financiar i një ekonomie në rritje të shpejt e të qëndrueshme. Ftoj sërish në emër të mazhorancës, tha ai, përfaqësuesit e opozitës të shfaqin përgjegjësit komplementare për miratimin e strategjisë dhe të programit ekonomik kombëtar të zhvillimit dhe progresit euroatlantik të Shqipërisë.

Por PD nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar Jemin Gjana ka deklaruar gjatë seancës së debatit votën kundër këtij buxheti./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego