Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Me 72 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, Parlamenti miratoi projektligjin për legalizimin e shtesave në ndërtime. Opozita nuk mori pjesë në votime, me përjashtim të kreut të grupit parlamentar të PD Bamir Topi, i cili votoi kundër për të marrë fjalën me pretekstin e shpjegimit të votës.

Bamir Topi: “Natyrisht këtu fjala nuk ka më vlerë në parlament, këtu procedurat thyhen çdo ditë, këtu një pjesë e deputetëve më vjen keq që kalohen në absurditet, kalojnë në non sens edhe pse kanë qenë propozues të një varianti të caktuar, votojnë kundër vetes së tyre, çka do të thotë qenë këtë mazhorancë ka humbur edhe dinjiteti i personit. Çka do të thotë që dhuna nuk është më vetëm për parlamentin, por është edhe brenda grupit tuaj parlamentar. Unë do t’i thoja atij parafolësit, që shtetin paralel po e aplikoni juve, sepse ju keni projektuar një variant projektligji, me përqindje të tjera dhe votoni një projektligj tjetër, të imponuar nga dikush tjetër, i cili për fat të mirë apo për fat të keq, po ju imponohet fare bukur juve, çka do të thotë që shtetin paralel, po e aplikoni juve”.

Fatos Nano: “Jam kryetari i qeverisë dhe prandaj nuk jam as shteti paralel dhe në emër të qeverisë, dua të vazhdojë të kërkojë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithë deputetëve. Meqenëse qeveria, institucione të tjera të pavarura, vetë Kuvendi, organizata të shoqërisë civile dhe agjencitë të specializuara të vendeve që na asistojnë, janë në momentin e rëndësishëm të identifikimit, të shtrirjes së kriminalitetit në ekonomi dhe në politikë, po e mbyll duke falënderuar parafolësin, që na dha një provë tjetër, të legjitimitetit politik, që mbron legjitimitetin e tregut”.

Mazhoranca socialiste me votim nominal, rrëzoi variantin e socialdemokratit Apostoli, për taksë 10 dhe 30% të kostos në ndërtime, duke aprovuar draftin e ndryshuar të qeverisë për taksë 20 dhe 50% respektivisht për apartamente dhe dyqane. Me mendimin se 80% e të ardhurave nga kjo taksë, do të administrohet nga qeverisja vendore dhe 20% nga buxheti i shtetit. Gjatë paradites, socialistët ranë dakord që me hyrjen në fuqi të ligjit, shtesat mbi objektin e legalizuar të konfiskohen.

Parlamenti miratoi projektligjin mbi statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe zhvilloi interpelancën me Ministrin e Industrisë dhe energjetikës Viktor Doda, për tragjedinë e minierës së Selenicës, kërkuar tre javë më parë nga deputeti demokrat Sokol Olldashi.

Sokol Olldashi: “Zotit kryeministër i vjen gjithmonë për të qeshur kur bëhet fjalë për të vdekur. Rrugë të mbarë! Do ikësh, por do ikësh njëherë e mirë”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj