Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni bipartizan për reformën zgjedhore, do të vazhdojë punën deri në datën 5 Nëntor. Parlamenti ka miratuar me shumicë votash shtyrjen e afatit për komisionin bipartizan pas kërkesës së bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PS në byronë parlamentare Gramoz Ruçi.

Servet Pëllumbi: “Atëhere, zotërinj deputetë, 64 pro me elektronikë edhe 8 ministrat 72, 11 kundër, 1 abstenim, miratohet shtyrja e afatit të komisionit.”

Pro këtij vendimi kanë votuar vetëm dy partitë e mëdha PS-PD, ndërsa kanë votuar kundër të gjitha partitë e vogla. Seanca ka vijuar me përgjigjet që Ministri i Shtetit Marko Bello i ka dhënë pyetjeve të deputetit Spartak Braho, për mosparaqitjen në Kuvend nga ana e qeverisë, të projektligjit për konfliktin e interesave, i cili sipas premtimeve të ministrit Bello, dueht të ishte çuar në komisionin parlamentar të ligjeve që në muajin qershor.

Marko Bello: “Vonesat në paraqitjen e këtij projektligji, kanë të bëjnë me vetë natyrën komplekse, si dhe në përcaktimin nëse ishte i nevojshëm hartimi i një projektligji të përgjithshëm material, apo thjesht duhej ndërhyrë, në kuadrin ligjor ekzistues, çka nënkuptonte amendimin e mbi 50 ligjeve që prekin këtë problem.”

Spartak Braho: “Ka kaluar më shumë se një vit, që Kuvendi ka miratuar në seancë, ligjin për deklarimin e pasurive. Pjesë përbërëse e këtij ligji duhet të ishin dhe dispozitat për konfliktin e interesave që për hirë të së vërtetës duhet thënë, se si ligji për deklarimin e pasurive, ashtu dhe vetë ILDKP pa këto dispozita është i mangët dhe jo efikase. Kam bindje për arsyet e vërteta që qeveria nuk sjell këtë ligj dhe që lidhen me vetë fushën e veprimit të ligjit. Gjithashtu vonesat në hartimin e ligjit dhe ngushtimi i hapësirave abuzuese, që ai do të sanksionojë edhe në aspekte të tjera, që lidhen me emërimet, nepotizmin, janë e do të jenë pengesa për strukturat e qeverisë dhe drejtuesit aktualë.”

Në interpelancë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin dhe Ministri i Transportit Spartak Poçi, si dhe ai i Çështjeve Sociale Engjëll Bejtja./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka