Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Me 70 vota kundër kërkesës së Kolegjit të Gjykatës së Lartë, 62 pro dhe 5 abstenime, deputetit Nikollë Lesi nuk iu hoq imuniteti falë mbështetjes së më tepër se gjysma e deputetëve të pranishëm në sallë. Ky rezultat është jo vetëm sfidë e demokristianit Lesi ndaj kryeministrit Nano, po shfaq dhe një dyshim të madh mbi vlerat që e mbajnë të bashkuar mazhorancën socialiste.

Seanca parlamentare nisi e tensionuar me raportin e mbajtur nga kryetari i komisionit të mandateve dhe imunitetit Çukaj. Pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar demokrat Topi, fjalën e mori deputeti Nikollë Lesi, i cili nuk u lejua nga punonjësit e Gardës së Republikës, për të demonstruar me monitor pamjet filmike që dispononte.

Në paraqitjen e tij para ligjvënësve, Lesi foli mbi sulmin e kreut të ekzekutivit, jo vetëm ndaj gazetës “Koha Jonë”, por dhe medias në përgjithësi, duke dhënë më pas përmbledhje të marrëdhënieve konfliktuale të kryeministrin me median e botuesit Lesi. Ai e argumentoi, se kërkesa e kryeministrit Nano është anti-ligjore.

Nikollë Lesi: “Zoti do të hakmerret për dosjen e “Shkallnurit”, ju e mbani mend, kam qenë iniciuesi i komisionit hetimor parlamentar, për të hetuar këtë ngjarje, ai nuk e harron. Kam qenë njeriu që e botova i pari dokumentin, për shpërblimin ose vetëshpërblimin e tij, ai nuk e harron. Kam botuar dokumente se si i shpjegon bizneset e gruas së tij në 256 milion dollarë, kam botuar dhe fakte të tjera, të cilat për Benzin, për pallatin, etj, zoti Nano nuk harron dhe e vërteta është që e solli padinë duke përdorur ikonën e bukur të një gruaje. Pra zoti Nano është turrur me hanxhar në dorë, ndaj pushtetit të medias që quhet pushtet i katërt. Ardhja e kërkesës për heqjen e imunitetit në parlament është një gjest hakmarrës i një mashkulli politik, që ndjen pleqërinë e tij dhe kërkon ndëshkim, për ata që nuk janë fajtor, për gjërat që zoti Nano nuk i kryen dot. Zoti Nano, për t’u treguar një dhëndër i ri dhe i fortë që bën namin ndaj kujtdo, që e kritikon, apo që kërkon të jetë transparent ndaj bizneseve dhjetëra milionëshe të gruas së tij, ka bërë një gabim fatal, që do t’i kushtojë mazhorancës, jo mua.”

Ajo çfarë mund të cilësohet bombë, ishte prezantimi i një dokumenti sekret që disponohet në prokurori dhe arkivën e SHISH, e cila bënte fjalë për bisedën mes kryeministrit Nano dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, për lehtësimin e akteve ligjore mbi trafikun e armëve.

Abdiu: Aty janë të gjitha, po u shfuqizua ligji hapen dyert për gjithçka dhe mbyllen kur duam ne.

Nano: Kuptoj, boll kemi mbajtur ko..t në opozitë, tani të fitojmë para o Fehmi, se një jetë kemi.

Shfuqizimi në kodin penal për trafikun e armëve, u realizua në 15 Janar të vitit 1998, sipas Lesit. Dokumentet kanë qenë shokues dhe për një pjesë të deputetëve të mazhorancës, të cilëve iu kujtuan termat e përdorur nga kryesocialisti Nano, gjatë fushatës për katharsis.

Nano: Megjithatë kujdes që të mos kuptoj gjë është strikt ai k..e është, një m..t janë si ai, si Serveti dhe Namiku, me këto dy mos fol.

Ky dokument implikon direkt zgjedhjen e Fehmi Abdiut në Gjykatën Kushtetuese.

Nano: Meqë këtë punë e quan të mbaruar, quaje të mbaruar edhe punën e Gjykatës Kushtetuese, kështu nuk do të ketë bir k..ve që të bëjë p..dh, jo Thimio b..tha, por as Bill Klintoni.

Nëse kjo bisedë e dokumentuar është e vërtetë, atëherë kryetari Fehmi Abdiu duhet të japë dorëheqjen nga posti i tij, pasi është zgjedhur në mënyrë të kompromentuar./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj