Partia Demokratike i ka bërë sërish thirrje opozitës që të rikthehet në komisionin parlamentar të ligjeve për të diskutuar mbi draftin përfundimtar për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.

Pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, se nuk ka ngutje për miratimin e ligjit në fjalë deputeti i kësaj partie, Gjok Vuksani, kërkoi nga opozita që të mos trembet nga procesi i verifikimit të figurave që synon të realizojë ligji i ri.

Gjok Vuksani: “Ne si forcë politike jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me opozitën në mënyrë të tillë që të nxjerrim një listë sa më të mirë. Edhe kjo ftesë që po iu bëj është një ftesë publike në emër të forcës sime politike. Ato të mos kenë frikë nga verifikimi, të mos kenë frikë nga riverifikimi sepse ashtu siç janë, ashtu edhe do dalin. Vetëm në qoftë se komisionet e mëparshme kanë kaluar në mënyrë si të thuash ose kanë anashkaluar më mirë të themi ndonjë person si pasojë e ndërhyrjes politike të mëparshme”.

Prej disa javësh politika është përfshirë nga një debat i ndezur për çështjen e hapjes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit.

Opozita braktisi mbledhjen e komisionit të ligjeve kur filloi shqyrtimi i draftit nën argumentimin se mazhoranca kërkon të miratojë një ligj që synon ndëshkimin kolektiv për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, gjë që sipas tyre është e papranueshme./tvklan.al