Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, më 8 korrik, disa ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, për një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë, që zemëroi disa udhëheqës të Bashkimit Evropian. Sipas medias shtetërore kineze, Orban dhe Xi u takuan në Pekin në një prej rezidencave presidenciale.

Kina, që ka raporte të ngushta me Rusinë, ka promovuar një plan të saj të paqes me gjashtë pika, ndërkaq Orban ka nisur një “mision për paqe”, pasi shteti i tij mori udhëheqjen e Presidencës së BE-së në fillim të këtij muaji.

Misioni i Paqes 3.0”, shkroi ai në X – që më herët njihej si Twitter – pasi arriti në Pekin.

Vizita e udhëheqësit hungarez në Kinë realizohet pasi ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por po ashtu ai realizoi një vizitë në Kremlin, që nxiti reagime të ashpra nga aleatët e tij.

Kina është një fuqi kyçe në krijimin e kushteve për paqe në luftën Rusi-Ukrainë”, shkroi Orban në X, duke shtuar se kjo është arsyeja pse ai po takohej me Xinë vetëm dy muaj pasi udhëheqësi kinez vizitoi Budapestin.

Ne e çmojmë shumë nismën tuaj të paqes në lidhje me konfliktin në fqinjin e Hungarisë”, citohet të ketë thënë Orban në takimin me Xinë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Hungari, MTI.

“Është shumë e rëndësishme për hungarezët që Kina të nxisë paqen në botë”, tha Orban.

Kryeministri hungarez është kritik i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe është udhëheqësi evropian që ka raportet më të mira me Xinë dhe Putinin.

Vizita e tij në Kinë vjen disa ditë para se të mbahet samiti i NATO-s në Uashington, ku do të trajtohet çështja e ofrimit të mëtejmë të ndihmës për Ukrainën.

Po ashtu kjo vizitë po realizohet pas vendimit të javës së kaluar të Komisionit Evropian për të vendosur tarifa prej 37.6 për qind ndaj importeve makinave elektrike të prodhuara në Kinë.

Hungaria është shndërruar në një partnere të rëndësishme tregtare të Kinës për dallim nga disa shtete të tjera të BE-së që dëshiron të jenë më pak të varura nga ekonomia e dytë më e madhe në botë./REL