Të burgosurit amerikanë të liruar nga Rusia kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata janë pritur nga Presidenti Joe Biden dhe zv.presidentja Kamala Harris.

Gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovic, ish-marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja e Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza ishin 4 prej 16 personave që u liruan nga Rusia pas një marrëveshje mes disa shtetesh për këmbimin e të burgosurve.

Personat e tjerë që u liruan nga Rusia janë 5 gjermanë dhe 7 rusë. Ata u këmbyen me tetë individë që ishin duke vuajtur dënime me burg në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Poloni, Norvegji dhe Slloveni, që u kthyen në Rusi.

Kjo marrëveshje është cilësuar si këmbimi më i madh i të burgosurve që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Këmbimi i të burgosurve u bë në Turqi.

Presidenti Joe Biden ishte i angazhuar personalisht në këtë çështje. Ai i shoqëruar nga familjet e të burgosurve amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, falenderoi aleatët që qëndruan pranë Shteteve të Bashkuara gjatë negociatave të vështira dhe të ndërlikuara. Presidenti amerikan veçoi mes aleatëve Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë.

Biden u shpreh se marrëveshja që siguroi lirimin e tyre ishte rezultat i diplomacisë dhe tha se në mesin e të liruarve ka gra dhe burra që janë mbajtur padrejtësisht me vite. Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi angazhimin për lirimin e çdo amerikani që është i arrestuar padrejtësisht, apo që mbahet peng në botë.

Para se të të burgosurit të mbërrinin në tokën amerikane Presidenti Biden dhe familjarët e tyre biseduan në telefon me ta nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Më pas ishte vetë Biden dhe zv.presidentja Harris të shoqëruar nga familjarët që i pritën në aeroportin e bazës ushtarake Endrius në Merilend.

Klan News