Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vangjel Dule:- “Pati natyrisht mendime të ndryshme në kryesinë e PBDNJ. Unifikimi i qëndrimeve deri në momentin aktual, nuk ka qenë i mundur, rrjedhimisht do t’ju them votën time personale, e cila do të jetë pro kabinetit qeveritar dhe kjo, jo me kuptimin për t’i shtuar jetëgjatësinë situatës jo të shëndoshë politike në vend, por me këtë tregojmë edhe njëherë të krijojmë një shans për stabilitetin dhe për t’u marrë vendimet në një situatë politike normale dhe me gjakftohtësi”.

Kështu ka deklaruar kryetari i PBDNJ Vangjel Dule, vetëm disa minuta para se të niste votimi i dekreteve presidenciale në Kuvendin e Shqipërisë. Vetë Dule ka pranuar se nuk është arritur një qëndrim i unifikuar në kryesinë e partisë, por dje Dule ka thënë se dy deputetët Karamelo dhe Goxhi, kanë thyer disiplinën e partisë, duke votuar kundër dekreteve.

Kjo është arsyeja që të dy deputetët e të drejtave të njeriut do të ndëshkohen në mbledhjen e mesjavës në këshillin e përgjithshëm, duke u shkarkuar nga drejtimi i partisë. Sipas burimeve brenda kësaj partie, kjo masë është imponuar nga segmente brenda shumicës në qeveri.

Vala e ndëshkimeve që ka prekur partinë në aleancë të dyfishtë me PS dhe PD, pritet të transmetohen në mënyrë të ngjashme në PS. Dritan Prifti është dënuar dje nga konservatorë të degës socialiste në Fier. E njëjta gjë pritet të ndodh me deputetin Eduard Alushi në Vlorë. Ilir Zela është përjashtuar nga delegacioni i PS në Internacionalen Socialiste.

Në një letër drejtuar KPD-së, ky i fundit akuzon Nanon për personalizim të partisë, por edhe të evenimenteve të saj, siç është pranimi i kësaj partie në Internacionale./tvklan.al