Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Aurel Bylykbashi:- “Mbrëmë, siç do ta shihni edhe në video, duke parë gjithashtu se kandidati ynë në Belsh, Medi Shehu është favoriti unë kryesor për të fituar, ka filluar nga deputeti i zonës Ndriçim Hysa, por dhe nga kandidati për kryetar bashkia i PS Arif Tafani, shpërndarja e miellit dhe e lekëve. Ne kemi arritur të evidentojmë mbrëmë gati në mesnatë, në fshatin Dushk është çuar një makinë me miell gati 15 kuintal, për t’u shpërndarë në orët e vona të natës, në një kohë që në sinkron të plotë, me drejtori të tjera, duke fikur dritat, në mënyrë që shpërndarja të bëhej pa pasur fare drita. Ne bëmë denoncimin në KZQV në Belsh, e cila u impenjua totalisht dhe ka filluar procedimi penal për personin i cili ka futur mallin në magazinë, i cili quhet Pirro Diamanti. Në fakt fshati Dushk është një fshat që ka votuar gjithmonë për PD”.

Agim Leka:- “Fushata në qytetin e Elbasanit dhe në komunat dhe bashkitë e Elbasanit, po zhvillohet normalisht, me përjashtim të incidenteve që kërkon të bëjë PD me kryetarin e saj zotin Bylykbashi. I ka nisur këto incidente që ditën e djeshme, me një histori mielli dhe është një improvizim total, në stilin e shpifjeve të fushatës së zonës 52 të Dhjetorit. Së dyti, zoti Bylykbashi në funksionin e tij, për të acaruar situatën politike, shëtit qendër më qendër të qytetit të Elbasanit me një eskortë të tij, bën presion për të dhunuar të drejtën e votimit tek qytetarët elbasanas. I kam thënë zotit Bylykbashi që të mos bëjë veprime të tilla të kundraligjshme. Kam protestuar për këtë edhe në KQZ edhe pranë organizmave ndërkombëtare OSBE-së”./tvklan.al