Partia Demokratike prezantoi në Dibër, Sherefedin Shehun si kandidat të saj për kryetar Bashkie. I pranishëm gjatë prezantimit, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka tha se kandidati i opozitës është ai që përfaqëson dibranët e vërtetë.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka:

Dibra është Dibra e njerëzve të mençur, intelektualë, njerëzve që në radhë të parë kanë moralin dhe mençurinë për të ecur në rrugën e vërtetë të duhur dhe jo në rrugën e “duhur” ku donte të na çonte Rama, sepse e pamë të gjithë se si dolëm. Sepse këdo që të kandidojnë ata tani, çfarëdo që duan të ndryshojnë, çdo kandidat që do të ketë rilindja këtu, do të jetë vetëm Shukriu numër 2. Ajo është kthyer në partin e shukrinjve sepse socialistët e ndershëm janë larguar dhe lenë në harresë nga partia e tyre.

Duke iu rikthyer humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, Paloka tha se përçarja ishte shkaku i saj.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka:

Në fakt, shkaku i vërtetë dhe i vetëm i humbjes tonë në zgjedhjet e fundit ishte përçarja e Partisë Demokratike. Unë shpresoj dhe besoj, jam i bindur që kjo periudhë që Dibra fatkeqësisht u drejtua nga shukrinjtë që nuk përfaqësojnë Dibrën, ka mjaftuar për të bërë të qartë jo vetëm për ju por këdo, se nëse ne lejojmë që Dibra të rrëmbehet nga Shukriu si Edi Rama, ne do kemi përgjegjësi të madhe para qytetarëve të Dibrës por edhe para gjithë Shqipërisë.

Ndërsa vetë Shehu e konsideroi vlerësim dhe detyrim besimin që iu dha për të kandiduar në Dibër.

Sherefedin Shehu:

Lënien e mandatit të deputetit disa e konsiderojnë si një sakrificë por në fakt është vetëm shpërblim të një pjesë të asaj që ju keni bërë për mua.

Zgjedhjet për bashkinë e Dibrës do të zhvillohen më 11 shtator, pas shkarkimit të ish-kryebahskikaut Shukri Xhelili. /TV KLAN