Parlamenti Europian, i ka kërkuar të gjitha vendeve të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë atë. Në rezolutën e miratuar në Strasburg me 424 vota pro, 133 kundër dhe 24 abstenime, është theksuar se nuk ekziston asnjë mundësi për ndarjen e territorit të Kosovës pavarësisht pretendimeve të serbëve.

Rezoluta ka përshëndetur vendosjen e suksesshme të misionit EULEX në të gjithë vendin, ndërsa vendeve të bllokut u kërkohet të mbështesin perspektivën europiane të Kosovës duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Deputetët europian i kanë kërkuar Prishtinës zyrtare dhe Beogradit që të angazhohen në dialog për çështje me interes të përbashkët dhe të kontribuojnë për bashkëpunimin rajonal. PE i bën thirrje Serbisë që të vazhdojë  të luaj një rol konstruktiv në përputhje me aspiratat e saj për anëtarësimin në BE./tvklan.al