Turqia është bërë objekt për një përplasje mes presidenti amerikan Barak Obama, kryetarit të komisionit europian Jose Manuel Barroso, kancelares gjermane Merkel nga njëra anë dhe presidentit francez Sarkozy nga ana tjetër.  Në samitin, BE-SHBA që mbahet në Pragë të Çekisë, presidenti Obama u bëri thirrje vendeve të BE të pranojë Turqinë në familjen evropiane duke theksuar se anëtarësimi i saj  do të jetë një shtysë e madhe për komunitetin mysliman. Qëndrim ky qe gjeti edhe mbështetjen e zotit Barrozo e zonjës Merkel.

Barack Obama: “Në rast se Ankaraja do të hynte në BE do të përbënte një nxitje për të gjitha vendet myslimane”.

Jose Manuel Barroso: “Sigurisht që do të duhen negociata dhe në fund do të shohim nëse Turqia është gati të aderojë ose jo. Gjithsesi ka një qëndrim unanim pro negociatave me Turqinë duke mbështetur edhe deklaratat e presidentit Obama”.

Angela Merkel: “Është e qartë që ka mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje. Mendoj se një rritje e bashkëpunimit mes vendeve myslimane dhe sidomos Turqisë me BE është në interesin e të gjithëve ne”.

Por presidenti francez Nikolas Sarkozy në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv TF1 tha se do të jetë gjithmonë kundër hyrjes së Turqisë në familjen evropiane, duke shpjeguar se qëndrimi i tij ka mbështetjen e pjesës më të madhe të vendeve të Evropës. Turqia ka kohë që ka kërkuar hyrjen në familjen evropiane, gjithsesi kundër kësaj kanë qenë Franca, Austria dhe disa vende evropiane të cilat kanë kërkuar nga qeveria turke më shumë masa sa i takon të drejtave të njeriut dhe reformave në vend./tvklan.al