Lajme Arkiva 2003

Pas 5 orësh të mbledhjes së qeverisë zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka dhënë dorëheqjen. Më tepër se sa vërejtjet e Nanos ndaj punës së tij si ministër dorëheqja e Metës duket se ka qenë e menduar prej kohësh. Meta ka kundërshtuar që në krye vlerësimet kritike që i janë bërë nga Nano për Ministrinë e Jashtme. Ai i ka quajtur këto kritika nihiliste, tendencioze dhe denigruese për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sipas Metës kryeministri ka sulmuar në mënyrë arbitrare të eliminoj Ministrinë e Jashtme me qëllim për ta vendosur atë në një tutelë të plotë personale të tij dhe të këshilltarëve të vetë. Sipas zëvendëskryeministrit, këto veprime kanë qenë vazhdë e luftës personale të Nanos ndaj Metës në kuadër të absolutizmit personal të qeverisjes. Pas largimit të parevokueshëm meta ka thënë se mbledhjen e qeverisë e ka vlerësuar si tryezë personale të Nanos. Meta ka thënë se po largohet për të mos qenë pjesë e fallcitetit dhe hipokrizisë qeveritare të Nanos.

Pas largimit të Metës kryeministri Nano nuk ka pranuar të flasë për gazetarët, madje as anëtarët e kabinetit të tij që janë larguar të tërë në heshtje. Mësohet se në mbledhjen e qeverisë Nano ka thënë se qëndrimi i zëvendësit të tij është i papritur inkoherent dhe jo funksional. Për Nanon mbi të gjitha është një qëndrim i papërgjegjshëm në vazhdën e qëndrimit të papërgjegjshëm mosbashkëunuese dhe shtangës ndaj detyrave dhe përgjegjësive, për të cilat Meta ishte mandatuar dhe votuar.

Nano ka shprehur keqardhjen për këtë ngjarje dhe për humbjen e një bashkëpunëtori që ka aftësi krejt të tjera nga ato që nuk ka dashur të shfaqur gjatë këtyre muajve të Nanos në qeveri. Megjithatë kryetari i PS-së është shprehur i sigurt se kjo nuk e cenon punën e qeverisë. Kryeministri ka thënë se gjatë këtyre 12 muajve qeverisje vakumin e lënë nga Meta e ka plotësuar ai vetë i mbështetur nga kabineti i tij dhe dy ministrat e shtetit.

Në fund Nano është shprehur optimist tek ka thënë se zëvendësimi i Metës në qeveri do të kërkoj kohën minimale të nevojshme për arsyetimin politik dhe institucional të ngjarjes./tvklan.al