Përgjaken zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. Një person ka humbur jetën dhe të paktën 7 të tjerë janë plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në fshatin Haraçinë. Ngjarja ka ndodhur pak orë pas nisjes së votimit kur policia ka marrë informata se një grup i armatosur po mbushte kutitë e votimit.

Me mbërritjen e patrullës së policisë ka nisur një shkëmbim zjarri që ka tensionuar pa masë situatën në fshat. Hyrje-daljet e këtij vendbanimi me shqiptarë janë bllokuar nga polica dhe disa metra më larg familjarët e të lënduarve dhe personit të vrarë kanë vënë bllokada.

Pas këtij incidenti policia ka zbuluar edhe dy makina të mbushura me armë. 6 të plagosur janë shtuar në një spital të Shkupit, ndërsa një 23-vjeçar është në gjendje të rëndë shëndetësore. Më herët partia e BDI-së pretendoi se dy prej të plagosurve ishin aktivistë të saj.

Shkëmbim zjarri ka pasur edhe në orët e para të mëngjesit në Çair në afërsi të shkollës Dame Gruev në Shkup. Dëshmitarë në vendngjarje treguan se kanë dëgjuar shumë të shtëna brenda shkollës ku po mbahej votimi.

Qytetari 1: “Dëgjova shumë të shtëna, mund të them se zgjatën më shumë se 5 minuta.”

Qytetari 2: “Kishte shumë gëzhoja kallashnikovi,  policia i mori me vete. Ishin 5 a 6 prej tyre me armë automatike, kallashnikov dhe një granatëhedhës.”

Ndaj këtyre incidenteve kanë reaguar edhe krerët e partive më të mëdha shqiptare, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti.

Menduh Thaçi: “Kam një porosi të përgjithshme, gjenerale të gjithë qytetarët pavarësisht prej incidenteve të cilat ndodhën paradite, qeveria e Maqedonisë dhe ministri e Punëve të Brendshme ka kapacitetin që ta mbajë procesin në kontroll. Të garantojë paqen dhe sigurinë dhe i lus qytetarët që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje.”

Ali Ahmeti: “Po ndodhin më shumë se sa kasaphanë, njerëzit janë të prirur që të bëjnë dëm për popullin e vetë. Ne jemi përpjek që t’ju ikim çdo provokacioni, për fat të keq struktura kriminale mbështeten edhe nga policia. Situata është mjaft e brengosur, mjaft shqetësuese, megjithatë jemi duke u përpjekur të menaxhojmë komunitetin ndërkombëtarë.”

Më herët një bombë shpërtheu pranë një bari në fshatin Toplicë në komunën e Vrapçistes, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Procesi i votimit është shoqëruar edhe nga frikësime, vjedhje të kutive të votimit dhe largim të vëzhguesve.

Parregullsi shqetësuese në këtë proces të trazuar kanë vënë re edhe vëzhguesit e këshillit të Evropës.

“Kemi vënë re mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve, në këtë qendër votimi ishin dy kuti që nuk ishin vulosur fare. Madje dhe tani 25 minuta pas nisjes së votimit kutitë janë të hapura.”

Sipas organizatës MOSS në shumë zona vjedhur kutitë e votimit, ndërsa në disa fshatra ka pasur mbushje të tyre nga persona të panjohur. Në fshatin Bukoviç 30 persona të armatosur kanë hyrë në vendet e votimit dhe kanë vjedhur materialin zgjedhor.

Si pasojë e këtyre incidenteve, procesi i votimit është ndërprerë në shumë zona të Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit. /tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle