Partitë shqiptare në Maqedoni pretendojnë fitoren pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve që u mbajt në 186 qendra votimi. PDSH e Menduh Thaçit, ka shpallur fitoren duke thënë se ajo është më bindëse se e 1 qershorit, por edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, shpalli fitoren. Sipas rezultateve paraprake të BDI-së të cituara nga agjencia INA, në njësinë zgjedhore nr 1 PDI ka fituar 3 deputet, PDSH 1.

Në njësinë zgjedhore nr. 2 BDI ka fituar 4 deputet ndërsa PDSH 1. Ndërsa në njësinë 6 vazhdon numërimi por që sipas BDI-së edhe atë në avantazh. Megjithatë rezultatet e votimit janë ende të paqarta. Procesi i rivotimit që u mbajt në 3 zona zgjedhore ishte kryesisht i qetë, pa të shtëna armësh dhe pa akte dhune.

Ndonëse u shënuan disa incidente për të cilat BDI-ja akuzojë PDSH-në. Zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti tha se PDSH është përgjegjëse për vjedhjen e mbi 3 mijë fletëve të votimit në Recicën e Madhe dhe 240 fletë të tjera mungojnë në një zonë në fshatin e Lipkovës. Policia e cila kishte marrë masa të rrepta të sigurisë, arresti 10 persona që tentuan të mbushnin kutitë e votimit në 3 qendra në Gostivar dhe Tetovë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se me 29 qershor do të votohet në 3 qendra votimi në Zhelin, për shkak të vjedhjes së materialit zgjedhor. Sipas KSHZ-së pjesëmarrja në votime arriti në 47%. Ky proces u monitorua nga vëzhgues të OSBE-së dhe Ambasadës Amerikane të cilët u shprehën të kënaqur me ecurinë pozitive të tij.

Në zgjedhjet e 1 qershorit rezultatet treguan se partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski, fitojë shumicën, pra 64 vende në parlamentin prej 120 deputetësh, ndërsa PDSH 14 dhe BDI 12. Rezultatet e votimeve të së dielës mund të ndryshojnë renditjen e këtyre 2 partive dhe të vendosin gjithashtu se cila prej tyre do të futet në kabinetin e ri qeveritar./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle