Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shkallmohet me thyerje dega e Partisë Lëvizja e Legalitetit në Elbasan. Zyrat e kësaj partie ndodhen në të njëjtën godinë me selinë e PD së këtij rrethi. Kryetari i PLL në Elbasan Bujar Çala shprehet, se dhunuesit pasi kanë shkallmuar derën, ka rrëmbyer një bust të Skënderbeut, kanë marrë flamujt që ndodheshin në zyrë, kanë dështuar në tentativë për të hapur kasafortën dhe janë larguar. E gjithë kjo skenë ka ndodhur në mesë të ditës, shprehet Çala, por më shumë se vlera materiale shton ai, dhunimi i zyrës merr vlera morale tani që PLL është ofruar dhe ka përkrahur Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të Leka Zogut.

Është zhvilluar në gjykatën e Vlorë, seanca e radhës për tragjedinë e 9 Janarit. Në këtë seancë dëshmuan prindërit e dy prej viktimave të kësaj tragjedie nga Vlora. Rifat Jaca dhe Nikollë Tokaj janë marrë me forcë nga policia pasi kanë refuzuar të dëshmojnë. Shumica e dëshmitarëve kanë refuzuar të vijnë duke thënë se ndodheshin jashtë shtetit.

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 60-vjeçar me akuzën e prodhimit dhe kultivimit të bimëve të lëndëve narkotike. M. A. nga fshati Shirq i këtij rrethi është prangosur, pasi në shtëpinë e tij janë gjetur rreth 10 kile hashash në gjendje të tharë e të paketuar gati për t’u trafikuar, por pasuria e 60-vjeçarit nuk ka qenë vetëm kjo. Në arat e tij janë gjetur 434 rrënjë kanabis të cilat janë prerë nga policia./tvklan.al