Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kjo javë, duhet të ketë shënuar për kryeministrin Fatos Nano dhe qeverinë e tij, një nga momentet më të vështira, që nga krijimi i saj para 6 muajve. Për herë të dytë FMN shtyn nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë, duke vlerësuar jo të mjaftueshme përpjekjet e qeverisë së kryeministrit Nano, në luftën kundër korrupsionit dhe kontrabandës.

Gjithashtu për drejtuesit e FMN-së, emërimet e kryeministrit në postet kyçe të administratës, janë të pakuptimta dhe nuk favorizojnë plotësimin e kushteve për qeverinë. FMN mori këtë vendim aspak pozitiv për Shqipërinë edhe pse jo më larg se një javë, Parlamenti miratoi me sforco mbylljen e dyqaneve pa taksa, duke vënë kështu në pozitë shumë të vështirë kryeministrin Nano dhe kabinetin e tij qeveritar.

Por nuk kanë ndalur këtu kritikat për shefin e ekzekutivit shqiptar. Që nga Vjena ku ishte mbledhur këshilli i përhershëm, ambasadori i OSBE-së Osmo Liponen, ka vënë në qendër të fjalimit disa aspekte, ku qeveria Nano ka stopuar aktivitetin e saj. Reforma institucionale, përfshirë atë zgjedhore, çështja e pronave dhe frenimi i luftës kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar ishin tre pika kritike. Për këtë të fundit, u tha se djegia e skafeve në fillimet e qeverisë Nano, mbeti vetëm një shfaqje televizive, pasi operacionet nuk u shoqëruan me dënime për trafikantët.

Në këtë klimë aspak të favorshme për qeverinë, Partia Demokratike nuk ka vonuar të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano. Ai është cilësuar nga demokratët, si njeriu që po mban peng dhe po penalizon vendin. Pasi sipas tyre, shkaqet e vërteta të sanksionit të radhës, qëndrojnë tek korrupsioni i qeverisjes së socialistëve. Opozita ka kërkuar gjithashtu zhbllokimin e reformës zgjedhore, në mënyrë që vendi të shkojë sa më shpejt drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe nëpërmjet kreut të tyre Berisha, demokratët po e ngrenë këtë çështje në kancelaritë europiane.

Berisha gjithashtu ka përkrahur presidentin Moisiu për reformën në drejtësi dhe ka kërkuar largimin e të gjithë prokurorëve të inkriminuar. Por në këtë kohë aktive për politikën shqiptare, kryeministri Nano ka zgjedhur fjalën thashetheme, për t’i vënë kapak sipas tij çdo kritike bërë në adresë të tij. Në një fjalim të gjatë të quajtur analiza e qeverisë, kryeministri Nano pranoi disa defekte në qeverisje, por nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë prej përgjegjësive. Ai e mbajti këtë qëndrim, kur një ditë më parë, në mbledhjen e grupit të PS kishte shkëmbyer replika të forta me zv/kryeministrin Ilir Meta dhe ish-ministrin e Financave Anastas Angjeli. Preteks për sherrin është bërë në Parlament votimi për mbylljen e dyqaneve “duty free”.

Por pavarësisht këtyre debateve, Partia Socialiste është shfaqur zyrtarisht në një qëndrim të vetëm, kur Partia Demokratike po kërkon të marrë nën hetim kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama. Socialistët nuk kanë dhënë konsensusin në mbledhjen e byrosë parlamentare, duke arsyetuar, se kjo kërkesë ndaj zotit Rama është anti-kushtetuese dhe anti-ligjore dhe demokratët si për hakmarrje nuk kanë vonuar të kundërpërgjigjen, në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, nuk kanë votuar projektin e kryebashkiakut Rama për taksat dhe tarifat e qytetarëve të Tiranës./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço