Rreshjet e mëdha e përmbytjet duket të kenë qenë një fenomen i zakonshëm për vitin që lamë pas. Nga fundi i muajit Gusht e deri në mesin e Shtatorit, Greqia fqinje u përball me përmbytje që shkaktuan dëme të mëdha në rrugë, ura, shtëpi e dyqane.

Ishulli i Evias, aty ku edhe pati viktima, rreth 80 km larg kryeqytetit Helen, u përfshi nga një gjendje alarmante si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati. Zyrtarët lokale shpallen gjendjen e emergjencës, në një kohë që u përdorën helikopterë dhe zjarrfikës për evakuiimin e personave.  

Në muajin Shtator më shumë se 30 persona gjetën vdekjen si pasojë e përmbytjeve që shkatërruan pjesën veriperëndimore të Turqisë. Situata ishte më e rënda në 80 vite. Dëmet materiale u vlerësuan rreth 1.4 milionë Euro.

Në muajt Tetor-Nëntor, një situatë e ngjashme përfshiu Italinë. Bilanci ishte 18 të vdekur, 35 të zhdukur dhe mbi 40 të lënduar. Rrëshqitjet masive të dheut lanë të pastrehë më shumë se 700 persona. Shirat e rrëmbyeshëm përmbytën rajone, shkulën pemë e dëmtuan shtëpi.

Kritike ishte situata në Pulja dhe Siçili, ku u ndërpre qarkullimi i automjeteve dhe trenave. Në disa zona forcat e kërkim-shpëtimit evakuuan persona, të cilët kishin mbetur të bllokuar në makinat e tyre, e madje edhe mbi çatitë e shtëpive, apo në pemë.

Në Prill të vitit 2006 dalja nga shtrati e Danubit detyroi autoritetet të evakuuonin mijëra persona në Serbi, Rumani dhe Bullgari. Dhjetwra persona gjetën vdekjen.

Përmbytjet masive u shkaktuan si pasojë e shkrirjes së borës dhe rreshjeve të dendura. Në Rumani Danubi arriti nivelin më të lartë që nga viti 1985. Edhe lumenjtë Tisa e Sava arritën në nivele të frikshme.

Në Korrik-Gusht të vitit 2005, Rumania u përball me përmbytje masive, të cilat shkaktuan 31 viktima. Autoritetet evakuuan më shumë se 2000 persona.

Tv Klan