Shulku: Ofrojmë të rinjtë me sportin

Vora është stacioni i radhës i investimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti, po investohet në fushën e re të stadiumit që po rindërtohet i gjithi, si edhe në një fushë të re stërvitore që do të përdoret nga ekipet e moshave. Për të inspektuar punimet e këtij investimi, ishte Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi se investimet në infrastrukturë janë jetësore për të pasur më shumë fëmijë që merren me futboll.

“Jemi në stadiumin e Vorës bashkë me kryetarin e Bashkisë së Vorës, në fazën finale të përfundimit të punimeve për të përmbushur investimin në këtë kompleks. Kemi investuar së bashku, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Bashkia e Vorës, për zhvillimin e infrastrukturës në këtë qytet. Do të jenë dy fusha. Fusha e stadiumit dhe vetë stadiumi do të jetë në kushte optimale. Besoj se ky investim do ta gjallërojë shumë jetën sportive në qytetin e Vorës dhe gjithashtu edhe fëmijët e këtij qyteti do të kenë mundësi të argëtohen dhe të kenë mundësi të merren me sport”, është shprehur Shulku.

Klan News