Ky është sherri i ndodhur rreth dy muaj më parë, që çoi në përplasjen e përgjakshme mbrëmjen e së hënës në Velipojë, ku humbën jetën dy të rinjtë Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç.

Në videon e siguruar nga gazetarja Emi Kalaja, shihen dy persona që fillimisht debatojnë me njëri-tjetrin në ambientet e hotelit “Holiday”, në pronësi të vëllezërve Eduard dhe Gëzim Frroku.

Disa çaste më vonë pranë tyre afrohen persona të tjerë. Është e paqartë se për çfarë debatohet. E nga shkëmbimi i fjalëve situata degjeneron në përplasje fizike.

Ngjarja e rëndë, referuar policisë, e ka zanafillën pikërisht te ky sherr i datës 28 Qershor, kur njëri prej viktimave, Ersild Ishmi kanosi me armë zjarri kuzhinierin e hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku.

Për vrasjen e dyfishtë të mbrëmjes të së hënës, autorë të dyshuar janë vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, të cilët mbeten në arrati.

I plagosur nga të shtënat mbeti edhe kamarieri i hotelit të vëllezërve Frroku, Zyber Zagrad. Ky i fundit së bashku me punonjësin tjetër të hotelit, Marjo Pali, u arrestuan ditën e sotme nga policia e Shkodrës, nën dyshimet se ndihmuan autorët e dyshuar që të largoheshin nga vendi i ngjarjes./tvklan.al