Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Petrit Çabati, ka hedhur poshtë komentet e ofruara nga disa media  referuar raportit të oponencës mbi projektin e rrugës Durrës-Kukës. 

Çabati vlerësoi se ndryshe nga sa u tha në këto media, sipas tij të kontrolluara politikisht, kjo nuk ishte oponenca mbi raportin përfundimtar, por mbi projekt-idenë.

Referuar investigimeve fillestare të projektuesit mbi alternativën e mundshme ku do të shtrihej gjurma e projektit.

Gjithsesi Çabati u ndal kryesisht në thelbin e atij që e cilësoi abuzim mediatik, mbi bazën e të cilit ngrihet pretendimi se është i panevojshëm ndërtimi i kësaj rruge me katër korsi.

Petrit Çabati: “Shifrat e trafikut që përmenden në këtë raport i përkasin matjeve të bëra në vitin 2003 në kuadër të studimit të fizibilitetit. Në asnjë rrethanë raporti nuk e konsideron trafikun të pamjaftueshëm. Programi i vlerësimit të rrugëve evropiane, një rrugë me dy kalime e konsideron shumë më të pasigurt dhe të rrezikshme sesa një autostradë me katër kalime me gati dyfishin e numrit të aksidenteve, gjë që bëhet akoma dhe më kritike në rastin e një rruge malore”.

Këtij arsyetimi Çabati i shtoi dhe një tjetër fakt se për ndërtimin e kësaj rruge me katër korsi ka dhe një vendim të Këshillit Kombëtar të Rrugëve të vitit 2003, vendim ky i firmosur nga kryeministri i vendit në atë periudhë, Fatos Nano.

Çabati tha gjithashtu se raporti i konsulentit ndërkombëtar, Ecorys, mbi analizën social-ekonomike si dhe kosto përfitimin del në përfundimin se kostoja e rrugës e justifikon investimin publik për autostradën Durrës-Morinë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi