Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Petro Koçi, kryetari i komisionit të organizimit pranë KPD-së, pranon se pranë Partisë Socialiste ka nepotizëm. Kjo ishte dhe arsyeja e përpilimit të draft-rregullores që do të miratohet nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, përpara zhvillimit të zgjedhjeve brenda partisë, me qëllim që të shmanget fenomeni i pjesëtarëve të një familje brenda së njëjtës strukturë drejtuese partiake.

Petro Koçi: “Ka disa struktura në parti, të cilat janë të influencuara nga marrëdhëniet familjare, pra ka komitete drejtuese nëpër rrethe, ku ka një lloj dukurie, të ngjashme, por më e keqja është kur kryesi partie psh. në procesin e tyre propozues, shpesh ndikohen nga marrëdhëniet e anëtarëve të këtyre institucioneve, për të emëruar të afërm të tyre, në detyra të rëndësishme përfaqësimi. Sipas draftit në këtë rast, nëse në një proces shqyrtimi, rezulton se një nga kandidaturat psh, do të ishte i afërmi i njërit prej anëtarëve të kryesisë, atëherë ai është i detyruar të dalë nga mbledhja. Ata që njohin ligjin me të cilin funksionojnë organet e qeverisjes vendore, e kanë të qartë që në një këshill komune apo bashkie, nuk mund të jenë shtetas të cilët kanë marrëdhënie familjare”.

Gazetarja: Kjo do të thotë psh, që meqenëse Ilir Meta e Monika Kryemadhi janë të dy anëtarë të këshillit drejtues të PS së Tiranës, duhet që detyrimisht njëri prej tyre të kalojë në një strukturë tjetër drejtuese të PS, ose përndryshe të divorcohen që të jenë të dy pjesëtar?

Petro Koçi: “Drafti sigurisht që synon që familja në Shqipëri të forcohet, jo të dobësohet, por jo vetëm familja qytetare, por dhe familja politike, e cila vuan nga disa sëmundje dhe një nga sëmundjet është edhe nepotizmi. Në çdo rast, shtetasit, pavarësisht nga marrëdhëniet familjare, të militojnë ën PS, por në struktura të ndryshme dhe në nivel të ndryshme./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj