Festime të jashtëzakonshme për titullin e parë të Bundesligës gjermane te Bayer Leverkusen. Skuadra 120-vjeçare dhuroi një performancë fenomenale në fushën e lojës, për të blinduar titullin pesë javë para fundit të kampionatit. Lumë birre u derdh në stadiumin e “Bay Arena”, ndërsa rreth 30 mijë tifozë zbritën në fushën e lojës për të festuar me heronjtë e tyre.

E jashtëzakonshme edhe festa në dhomat e zhveshjeve, ku as aty nuk u kursye dushi me birrë, tradicionale për skuadrën që fiton titull në Gjermani. Trajneri, Xabi Alonso tha se titulli ishte i merituar dhe se ishte i nderuar që ishte pjesë e një dite të veçantë për klubin.

“Është koha për të festuar, por nga e marta e tutje do të mendojmë sigurisht për Europa League dhe Kupën. Edhe Bundesligën nuk do ta harrojmë, pavarësisht se kemi garantuar titullin. Nuk kemi humbur, kështu që mund të jetë e mrekullueshme. Kemi ende qëllime të mëdha për të arritur diçka tjetër, por ne do të fillojmë të mendojmë për sfidat e radhës”.

Edhe në konferencën për shtyp, Xabi Alonso nuk i shpëtoj dushit të birrës, në ekstazë të vërtetë për të festuar titullin e parë në histori.

Klan News