Policia amerikane dhe shërbimet sekrete kanë shmangur një atentat ndaj kandidatit për Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama.

Katër persona janë arrestuar në Denver pasi akuzohen se po planifikonin të vrisnin senatorin e Ilinoisit. Gjithçka ishte menduar mirë.

Të enjten gjatë kohës kur Barack Obama do të mbante fjalimin e tij në konventën e Denverit para 4 mijë delegatëve dhe mijëra mbështetësve në stadium atentatorët do të qëllonin në distancë prej 750 metrash për t’i dhënë fund jetës së tij.

Tre prej të arrestuarve janë Tharin Gatrell, Shawn Adolph dhe Nathan Johnson, të cilët u kapën në flagrancë me armë, maska dhe morfinë.

Sipas policisë ata i përkisnin një grupi rebel nazistësh pasi në trup kishin tatuazhe dhe bizhuterinj me kryqin nazist, por emërimi i Barack Obamës si kandidat për Shtëpinë e Bardhë duket se nuk është mirëpritur nga të gjithë.

Mijëra vetë janë mbledhur jashtë konventës së Denverit për të protestuar kundër senatorit afrikano-jugor.

Fjalimi i bashkëshortes së tij, Michelle, ka hapur dhe konventën e shumëpritur duke prezantuar veten si një grua që vazhdon të dojë dhe të mbështesë bashkëshortin e saj. Zonja Obama u shpreh se beson që senatori do të jetë një president i jashtëzakonshëm.

Emocionues ishte dhe prania e senatorit Edward Kennedy, i cili sfidoi sëmundjen e rëndë të kancerit duke mbajtur një fjalim në podium, ndërsa kandidati demokrat, i cili merr zyrtarisht këtë titull të enjten ndoqi gjithçka nga Kansas City.

Ai do të jetë i pranishëm në konventë të mërkurën, ndërkohë që sot pritet të flasë në mbështetje të tij dhe ish-rivalja demokrate, Hillary Clinton./tvklan.al