Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policia kriminale e Durrësit arreston njërin prej autorëve të vrasjes së elektricistit 40-vjeçar nga Fieri Robert Nitro, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Arben Gogaj 40-vjeç lindur dhe banues në Fier me arsim të lartë është prangosur nga blutë e Durrësit, vetëm pak orë pas kryerjes së krimit.

Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, Gogaj dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë masakruar Robert Nitron brenda një banesë në plazhin e Durrësit dhe më pas kanë braktisur kufomën përgjatë brezit të rërës. Sipas policisë, automjeti tip Benz, i përkiste viktimës, ndërsa targat janë hequr nga keqbërësit.

Nga veprimet hetimore të kryera në vendngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sëpatë dhe janë gjetur gjurmë gjaku dhe gishtërinj të cilëve u përkisnin autorëve të krimit. Banesa ku është kryer krimi në pronësinë e Ismet Boriçit është sekuestruar nga policia.

Sipas komunikatës për shtyp, vrasja është kryer për motive të dobta, pasi kriminelët dyshonin se një e afërmja e tyre kishte lidhje intime me elektricistin 40 vjeçar. Ismet Boriçi, Alfred Aliaj, Sokol Aliaj, Bexhet Hoxha dhe Platon Pepa, janë shpallur persona në kërkim, nën akuzën e bashkëpunëtorëve në vrasje./tvklan.al