Policia e Kosovës përmend që në veri të vendit po zhvillohet një kontrabandë e madhe, në mungesë të shtrirjes së autoritetit të organeve të rendit. Atje policia dhe dogana thuajse nuk kanë asnjë lloj ndikimi. Zëdhënësi Veton Elshani, thotë se policia e Kosovës po zhvillon vetëm kontrolle rutinë, mirëpo pranon se nuk bëhet fjalë për ndërmarrjen e ndonjë aksioni të madh anti-krim.

Veton Elshani: “Po nuk mund të themi që jemi të suksesshëm. Duke marrë parasysh që në veri ne i kemi 2 pika kufitare të cilat nuk kontrollohen nga shërbimi doganor, mirëpo nëse flasim për aspektin sesa kemi zënë material kontrabandës apo derivateve apo diçka të tillë atëherë ajo punë hyn në kuadër të punës rutinë që policia ka, e ka krye dhe mund të themi se jemi mjaft të suksesshëm”.

Policia dhe dogana që nga shpallja e pavarësisë nuk kanë kontroll në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë në pjesën veriore. Atje në mungesë të një kontrolli të rreptë po zhvillohet një kontrabandë e madhe e cila po dëmton rëndë buxhetin e Kosovës, por organet e rendit duket se nuk mund të ndërhyjnë pasi që kjo mund të shfrytëzohet nga Beogradi për ta shndërruar këtë çështje në një problem të pastër politik. Policia është e vetëdijshme për këtë.

Veton Elshani: “Ne nuk kemi ndonjë operacion të veçantë i cili është duke u zhvillu për me vu rregull në veri. Kemi pas disa plane operative të cilat janë punu nga regjioni i Mitrovicës e jo dje apo pardje mirëpo që disa muaj që veç janë në vazhdim e sipër që kanë të bëjnë me involvimin e patrullave policore dhe shërbimi doganorë në mënyrë që të parandalohet kontrabandimi i cili bëhet në atë pjesë. Mirëpo nuk ka diçka të jashtëzakonshme”.

Në pjesën veriore, në mungesë të pikave doganore kryesisht po zhvillohet një kontrabandë e madhe me naftë./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki