Lajme Arkiva 2003

Policia e Lezhës ka zbardhur plotësisht rrethanat, motivet dhe autorët e atentatit në fshatin Tale ku dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos. Sipas uniformave blu ngjarja e së hënës ka motive hakmarrje dhe ka lidhje me vrasjen që ndodhi rreth 6 javë më parë në kthesën e Patokut në hyrje të Laçit ku u vra një çift nga fshati Tale.

Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes disa gëzhoja plumbash, makinën tip “Benz” që e kanë braktisur autorët si edhe maskat që ata kanë përdorur për kryerjen e krimit. Drejtori i policisë së Lezhës Xhavit Shala pasi deklaron se ngjarja është zbardhur shkencërisht premton se autorët do të kapen shumë shpejt.

Rreth orës 21 të së hënës pas një pritje në afërsi të banesës së tyre, janë vrarë Zef Biba 31 vjeç dhe një vajzë nga Kuçova ende e paidentifikuar, ndërkohë është plagosur lehtë në këmbë edhe Gentjana Meçe 25 vjeçe edhe kjo nga Kuçova. Zefi ka qenë duke u kthyer për në banesë së bashku me vëllanë e tij Kastriot Bibën dhe dy vajza nga Kuçova të cilat sipas policisë shfrytëzoheshin si prostituta nga dy vëllezërit./tvklan.al