Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Drejtoria e policisë së Tiranës e konsideron të mbyllur qarkun e grupit të personave të arrestuar si pengmarrës të Fatjon Demirlikës. Zyrtarisht policia ka njoftuar se nuk ka të tjerë persona në kërkim, duke hedhur poshtë zërat se të kërkuar si autorë në pengmarrje janë dhe shtetas të tjerë.

Si të implikuar rezultojnë deri tani personat nën pranga, Ilir Kodumi, Gjergj Cukalla dhe Ledio Lito. Ndërsa bashkëpunëtor në fshehjen e krimit Edruard Skukli, i cili kishte strehuar Cukallin dhe Liton, në banesën e të afërmve të tij. Nga marrja në pyetje e autorëve të ngjarjes dhe vetë pengut kanë dalë mjaft elementë të dyshimtë në lidhje me shkaqet që çuan në pengmarrje.

Demirlika ka hedhur ndryshime se pengmarja e tij është urdhëruar nga një person i cili ndodhet jashtë vendit. Vetë autorët kanë dhënë dëshmi kontradiktore mbi motivet e pengmarrjes. Prokurori ka kërkuar që seanca për masën e sigurisë për secilin autorë të realizohet veçmas dhe Gjykata e Krimeve të Rënda do dëgjojë secilin prej tyre të hënën në tre seanca të veçanta.

Burime nga hetimi bëjnë të ditur gjithashtu se do të kërkohet informacion nga struktura homologe në Zvicër dhe Gjermani mbi skedën dhe veprimtarinë e pengut dhe të tjerë personave të cilët mendohet se kanë lidhje me shkaqe që çuan në pengmarrje./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj