Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policia e shtetit pranon përgjegjësinë për dhunën e ushtruar me pasojë vdekjen e të miturit Eriguert Ceku në komisariatin e Rrëshenit. Sipas një njoftimi për shtyp, të zëdhënëses së drejtorisë së policisë vdekja e 17-vjeçarit ka ardhur si pasojë e përplasjes së dhunshme pas murit dhe përgjegjës është një efektiv policie i këtij komisariati që ka ndërhyrë për të shuar sherrin midis të paraburgosurve.

Për momentin janë pezulluar dhe punonjësit e policisë Gjon Reçi dhe Viktor Shtjefanaku. Në qeli kanë qenë katër persona dhe pas një grindje mes tyre polici i shërbimit ka ndërhyrë. Dhuna e ushtruar duket se ka shkaktuar më pas vdekjen e të miturit. Sipas njoftimit për shtyp të drejtorisë së policisë, nga ekspertiza mjeko-ligjore rezulton, se i paraburgosuri kishte pësuar një hematom e ardhur si rezultat i përplasjes së kokës në mur.

Ndërkohë Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ndërhyrë duke kërkuar hetim dhe ndëshkim për përgjegjësit e vdekjes së një 17-vjeçari në sistemin e paraburgimit. Ky komitet konsideron rastin konkret si një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të të miturve në veçanti.

Vasilika Hysi: “Shërbimi i sigurisë së brendshme në të gjitha vendet e paraburgimit është i detyruar të siguroje jetën e çdo personi të ndaluar apo të arrestuar. Në rastin në fjalë edhe jeta e 17-vjeçarit i ishte besuar punonjësve të sigurisë së brendshme në komisariat. Kjo ngjarje e cila është tashmë objekt hetimi dhe i bie organit të prokurorisë të vërtetojë kush është autori i ngjarjes, nëse vdekja ka ardhur si pasojë e veprime të dhunshme të një bashkëvuajtësi në komisariat, apo për shkak të dhunës së përdorur nga një punonjës policie, përsëri është e pafalshme që në komisariatin e Rrëshenit për të dytën herë ndodh një ngjarje e tillë, ku humbasin jetën dy perona të arrestuar”./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj