Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas reagimeve të akademikëve dhe studiuesve mbi marrëveshjen e nënshkruar mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare në Prill të 2003, për rishikimin e teksteve të historisë dhe letërsisë, reagon edhe politika shqiptare. Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo shprehet, se ideja për rishikime të tilla i takon UNESCO-s që në vitin 1988, në kuadrin e stabilizimit të të vërtetave historike në të gjithë rajonin.

Një protokoll i ngjashëm sipas zotit Milo është edhe ai i vitit 1998, kohë kur marrëdhëniet shqiptaro-greke po ngroheshin. Sidoqoftë, ngritja e një komisioni dypalësh është një ide e mirë sipas zotit Milo edhe pse…

Paskal Milo: “Nëse ka deklarata zyrtare në adresë të njërit apo tjetrit vend, kjo nuk është shumë serioze, sepse gjithsecili duhet të shikojë në radhë të parë se çfarë bëhej në shtëpinë e vetë për këto çështje pastaj t’u adresohet të tjerëve.”

Edhe Partia Republikane ka reaguar nëpërmjet nënkryetarit të vetë Neritan Alibali.

Neritan Alibali: “Gjithashtu, Partia Republikane shpreh zhgënjimin e saj ndaj qëndrimit paternalist dhe sjelljes prej padroni që ministri i arsimit të Greqisë, zonja Marieta Janaku, reflektoi në një intervistë të dhënë në mediat greke dhe i bënë asaj me dije, se e ashtuquajtura ide për Shqipërinë e Madhe, ekziston në kokat e nxehta të Athinës dhe jo në tekstet e historisë së Shqipërisë.”/tvklan.al

Gazetare: Mimoza Koçiu