Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Pozita ka pranuar sugjerimet e Miqve të Shqipërisë, për ndryshimin e KQZ, rishikimin e listave të votuesve dhe të kodit elektoral. Vetë kryeministri Meta është përgjigjur pozitivisht sugjerimeve të Miqve të Shqipërisë, të shprehura nga shefi i OSBE-së Gert Ahrens.

Kryeministri Ilir Meta:- “Këshillat e të gjithë miqve janë të pranueshme dhe të mirëpritura”.

Për çështjen e Komisionit Qendror Zgjedhor disa muaj më parë kryesocialisti Nano kishte sugjeruar dorëheqjen e disa prej komisionerëve, ndërsa tani nuk ka propozuar ndonjë zgjidhje konkrete. Ndërkohë edhe kryesocialdemokrati Gjinushi, ka kritikuar KQZ, për mos administrimin në nivelin e duhur të procesit elektoral. Gjinushi pranon kërkesën për rishikimin e listave të votuesve.

Skënder Gjinushi, Kryetar i PSD:- “Ajo shifra që jepet psh. nga Berisha, që mungojnë rreth 600 mijë vetë, çuditem se si mund ta thuash një gjë të tillë, kur në 97 ka pasur rreth 2.2 milion në lista, në 98 në Referendum ka pasur rreth 2.1 milion në lista dhe s’është thënë që mungojnë 500, 600 mijë vetë, kurse në vitin 2000 ne kërkojmë të ketë 600 mijë më shumë”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame