Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Deputeti aleancist Preç Zogaj, priste më shumë nga fjala e presidentit të Republikës Alfred Moisiu në Kuvend. Sipas Zogaj, çështjet që preku kreu i shtetit shqetësojnë realisht vendin, por nuk u trajtuan siç duhet.

Zogaj pretendonte që Moisiu të qartësonte një për një përgjegjësitë e institucioneve, e kryesisht ato që lidhen me proceset zgjedhore. Kjo temë ka probleme të dukshme pasi përmban elementë delikatë e shumë të rëndësishëm shprehet Zogaj, si balancimi i KQZ, listat, e financimi i partive politike, e kandidatëve me paratë e pista, por as për këto nuk pati fajtorë. Edhe çështja e korrupsionit sipas Zogaj, nuk i adresohej askujt, por vetëm politikës në përgjithësi.

Preç Zogaj: “Trajtimi i temës së zgjedhjeve, për mendimin tim mund të kishte qenë më i adresuar, më i qartë, sepse kam përshtypjen, se kjo do të kalojë si fjalë për t’u thënë, por askush nuk do të nxjerrë ndonjë detyrë, ose askush nuk do reflektojë, në qoftë se vendos presidenti që të merret me temën e madhe dhe jetike të zgjedhjeve. Unë them, që duhet t’i bjerë problemit kokës. Nuk mund të flasim për zgjedhjet në Shqipëri në mënyrë të përgjithshme”.

Thirrja e presidentit Moisiu për mënjanimin e revoltave, kundërshtohet nga aleancisti Zogaj, si ideatori i parë që kërkoi ngritjen e revoltave popullore.

Preç Zogaj: “Tani duhet ta dinë të gjithë që populli është sovran prej vërteti, jo prej letre dhe kur nuk i gjen zgjidhje për problemet e veta themelore, në institucione zbret në rrugë dhe në këtë moment, protestat, revoltat, jo vetëm që nuk janë të dënueshme por janë ilaçi i vetëm për të shëruar demokracinë dhe për të mbrojtur pavarësinë e vendit. Asnjë ndërtesë në Shqipëri, asnjë xham i thyer nuk vlen sa liritë, sa demokracia, sa zgjedhjet e lira”./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari