Dy vitet e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social për Kosovën.

Falë fondit prej 1.2 miliard eurosh të mbledhur nga donacionet bujare nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare mundësia për të arritur standardet evropiane tejkalon nivelin e parashikuar.

Në një intervistë për TV Klan Ministri kosovar i Ekonomisë shpjegon fushat në të cilat do të investohet me paratë e mbledhura, ndërkohë premton transparencë në shpenzimin e tyre.

Ahmet Shala: “Paratë u shpenzuan në projektet sipas prioriteteve që i ka identifikuar qeveria e Kosovës dhe atë në energji, në infrastrukturën rrugore, në arsim, në bujqësi në shëndetësi, në zbatimin e ligjit e natyrisht edhe në implementimin e pakos së Ahtisarit. Paratë edhe të gjyqtarëve të Kosovës dhe të shteteve që kanë dhënë ndihmë për Kosovën do të harxhohen ashtu siç jemi marrë vesh dhe ashtu siç neve e kemi premtuar se do të ketë transparencë dhe menaxhim me nikoqirllëk të të gjitha parave edhe të qytetarëve të Kosovës, edhe të atyre ndërkombëtarëve”.

Energjia mbetet gjithsesi një ndër sektorët më problematikë duke bërë që të jetë në fokus të investimeve, të cilat sipas ministres kosovare të energjisë parashikohet të arrijnë mbi 80 milion euro.

Justina Shiroka-Pula: “Sektori i energjisë në Kosovë është në një situatë shumë të vështirë për shkak se janë kapacitetet gjeneruese mjaft të vjetra. Nuk kemi mjete financiare të mjaftueshme për me i riparu të gjithë ato sektorë, prandaj jemi duke bërë një plan veprimi për me ardh deri tek një ristrukturim të sektorit të energjisë. Buxheti i Kosovës e ka parashikuar një shumë mjaft të volitshme, diku mbi 80 milion euro mirëpo edhe përkundër këtyre vlerës ai prapë nuk është i mjaftueshëm për me e riparu tërë sektorin”.

Duke parë rezultatin konferenca e donatorëve për Kosovën e organizuar në Bruksel është konsideruar si shumë e suksesshme.

Në të morën pjesë mbi 37 shtete dhe 16 organizata. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës treguan edhe një herë se janë mbështetësit më të fortë të Kosovës duke u bërë edhe donatorët më të mëdhenj./tvklan.al