Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në Fshatin e Paqes, 2 km larg Shkodrës u miratua një plan veprimi për luftën kundër gjakmarrjes. Tryeza e rrumbullakët u organizua nga komisioni parlamentar i Rendit dhe SHISH-it në bashkëpunim me prefekturën e Shkodrës dhe në të mori pjesë edhe presidenti Alfred Moisiu.

Zoti Moisiu tha, se jeta e rrezikuar e çdo qytetari është më e rëndësishme sesa parimet, imazhi, apo interesat politike të momentit. Ai e konsideron rikthimin e gjakmarrjes si një sfidë të hapur të një pjese të shoqërisë ndaj mosfunksionimit të shtetit ligjor. Presidenti Alfred Moisiu, shprehu angazhimin e tij të plotë për të marrë çdo masë ligjore, e cila do të mundësonte kufizimin, ose eliminimin e këtij fenomeni.

Në këtë tryezë, kanë referuar disa intelektualë, lidhur me mënyrën se si mund të luftohet gjakmarrja. Sipas statistikave të policisë, përqindja më e lartë e vrasjeve për gjakmarrje është kryer gjatë viteve 98-99. Ndërsa gjatë vitit të kaluar nga 179 vrasje të ndodhura, 7% janë kryer për gjakmarrje.

Për fat të keq, gjatë kohës që në Fshatin e Paqes zhvillohej takimi me temë, “Roli i shtetit dhe i shoqërisë civile në parandalimin e gjakmarrjes dhe lehtësimin e pasojave të saj”, një vrasje për këtë motiv ndodhi në nj tjetër fshat po në Shkodër. Viktima është Ismet Myzlaj dhe është qëlluar me armë zjarri nga Bashkim Shaba./tvklan.al