Rreth 50% e kopshteve dhe shkollave 9-vjeçare në kryeqytet janë pa sistem ngrohje qendrore. 

Irfan Hysolli: “Aktualisht funksionojnë 29 çerdhe, nga të cilat janë të pajisura me sisteme ngrohesh me kaldajë, 20 prej tyre, 43 kopshte dhe janë të pajisura 19 prej tyre dhe 70 shkolla në të cilat janë të pajisura 34 prej tyre.”

Shkollat, kopshtet dhe çerdhet që kanë sistem ngrohje kanë filluar ta përdorin atë që në fillim të muajit Nëntor, ndërsa pjesa tjetër do të ngrohen me anë të ngrohëseve elektrike, por kjo vetëm kur ka energji.

Irfan Hysolli: “Në ato që akoma nuk është instaluar sistemi ngrohës me kaldaja po punohet ose po ngrohen me sisteme alternative në çerdhe me energji elektrike dhe në kopshte. Ashtu si janë oraret e mungesës së energjisë elektrike në zona të ndryshme të Tiranës ato në mënyrë të padrejtë përfshijnë dhe kopshtet dhe çerdhet dhe tek vogëlushët që marrin pjesë krijohet shqetësim serioz sepse duke mos pasur energji ne nuk mund të vëmë në punë këto sisteme, çka vërtet krijon problematika në këto objekte shkollore”.

“Me rezistenca kështu që kanë…”.

Gazetarja: Po kur nuk ka drita?

“Nuk ngrohemi”.

“Kur nuk ka drita mbyllim derën.”

Mungesa e ngrohjes është më e ndjeshme tek vogëlushët e kopshteve, ndërsa dimri ka hyrë dhe pritet të ketë temperatura edhe më të ulëta.

Fëmijët dhe prindërit e tyre duhet të luten që të mos fiken dritat, në mënyrë që ata të përdorin kondicionerët për t’u ngrohur, ndërkaq pajisja e të gjitha shkollave dhe kopshteve me kaldaja për ngrohje pritet të bëhet brenda vitit 2010./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami