Finalizimi i procesit te legalizimit ka vijuar sërish në qarkun e Tiranës, teksa janë shpërndarë edhe 150 certifikata të tjera pronësie kryesisht objekte informale me kalim pronësie, si dhe shtesa pallatesh. Drejtori i ALUIZNI-t për këtë qark Agim Berisha, tha se po kryhet një punë voluminoze dhe me mijëra dosje janë gati për t’u konvertuar në leje legalizimi.

Agim Berisha:Ndjehemi mirë kur dhe puna jonë duke shkuar shtëpi më shtëpi, pronë më pronë që deri më tani në Tiranë kemi arritur 50 mijë shtëpi e mijëra hektarë parcela të matura me vlerat e saj. Më vjen mirë kur shoh në televizor që mbillen 5 apo 10 pemë në një rrugë, po si të mos festojmë kur 10, 100, 1000 apo 10 000 familje e me dhjetëra mijëra banorë legalizojnë pronat e tyre, pa dallime e preferencë partiake dhe kjo për një periudhë 4-5 mujore.”

Ndërsa kreu i ALUIZNI, Shaban Memia theksoi se bëhet fjalë për një proces intensiv dhe të pakthyeshëm.

Shaban Memia:Jo vetëm që ju merrni titujt dhe dokumentacionin tekniko ligjor më të plotin, më të saktin, por do t’ju them edhe nga ana tjetër që ky është një proces absolutisht i pakthyeshëm, është një reaksion që nuk kthehet më.”

Shpërndarja e lejeve të legalizimit vazhdon  këtë të premte edhe në bashkinë e Pogradecit dhe atë të Korçës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro