Agjencia e Legalizimeve të Zonave Informale po vazhdon me ritme të larta shpërndarjen e certifikatave të pronësisë. Paraditen e së enjtes vetëm në Tiranë u shpërndanë lejet e legalizimit për gati 6200 pasuri kryesisht, shtesa apartamentesh.

Shaban Memia: “Ne sot kemi përgatitur rreth 70% të ndërtimeve me leje dhe me shtesa dhe realizojmë procedurën e fundit të pajisjen me dokumentacionet ose titullin e pronësisë”.

Vetëm në qarkun e Tiranës numërohen rreth 36% të vetë deklarimeve për legalizim. Këto janë zyrat ku dokumentacioni i mbledhur në terren digjitalizohet nga stafi i ALUIZNI-t. Harta kompjuterike e krijuar jep informacion të detajuar e të saktë mbi çdo objekt që është futur në procesin e legalizimit. Më pas përgatiten dosjet të cilat miratohet nga KRRTRSH duke i hapur rrugën marrjes së certifikatës së pronësisë nga qytetaret.

Drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Agim Berisha, thotë se kanë gati afro 6000 mijë dosje të cilat me t’u kryer pagesa nga qytetarët, do të hyjnë në tregun formal të pasurive të paluajtshme.

Agimi Berisha: “Kemi hyrë në fazën ku njerëzit po marrin lejet e legalizimit, pra po bëhen pronarë. Kemi matur në terren mbi 45 mijë ndërtime. Pra ta imagjinosh se çfarë është, është të masash dhomë për dhomë, korridore, të masash parcela të gjitha nga inxhinierët tanë. Janë digjitalizuar mbi 70% e tyre dhe janë bërë gati për dhënie leje legalizimesh një numër shumë i madh të tyre. Pra çdo ditë do të ketë dhënie lejesh legalizimesh”.

Për ndërtimet në Tiranë qytetaret duhet të paguajnë 400 mijë lekë për 300 metra katrorë, ndërsa për objektet jashtë vijës së verdhë 400 mijë lekë shkojnë për një sipërfaqe prej 500 metrash katrore. Drejtues të ALUIZNI-t thonë se qytetarët mund të përfitojnë edhe 20 % ulje nga detyrimi monetar nëse pagesën e kryejnë brenda një muaji nga marrja e njoftimit./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Montazh: Ergis Hasanbelli